Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të hënën një pako të re ndihmash ushtarake me vlerë 2.5 miliardë dollarë për Ukrainën. Biden po i shfrytëzon javët e fundit në presidencë për të rritur mbështetjen ushtarake për Kievin, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar. “Nën drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë pandërprerë për të forcuar pozicionin e Ukrainës në këtë luftë gjatë kohës të mbetur në detyrë”, tha Biden në një deklaratë. Ndihma e re përfshin ndihmë 1.25 miliard dollarë nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën. Kjo është paketa e fundit nga administrata e Bidenit. Sipas Iniciativës për ndihmë të sigurisë për Ukrainën, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes apo partnerët, pra nuk merren nga rezervat amerikane, që nënkupton se nevojiten muaj apo vite që ato të mbërrijnë në fushëbetejë. Në një deklaratë, Biden tha se ndihma e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm armësh që ajo po i përdor me ndikim të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjate për mbrojtjen ajrore, artilerinë dhe sisteme të tjera të armëve vendimtare”. Nga fillimi i luftës më 2022, Uashingtoni e ka ndihmuar Ukrainën me 175 miliardë dollarë armatime, por tani nuk është e sigurt nëse kjo mbështetje do të vazhdojë me këtë ritëm nën udhëheqjen e Trumpit, i cili do të zëvendësojë Bidenin më 20 janar. Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë luftën shpejt. Gjatë fushatës elektorale presidenciale, ai ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt, duke lënë të kuptohet se aleatët evropianë duhet ta bartin më shumë barrën e ndihmës financiare.

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds