Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mandatin e ri qeverisës përmes një mesazhi publik në rrjetet sociale.
Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shqiptar shprehu urimet për sukses në drejtimin e qeverisë dhe në avancimin e progresit, zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Begaj theksoi bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në interes të shtetit dhe qytetarëve do ta ndihmojnë klasën politike kosovare të përballet me sfidat e ardhshme.
‘Urime Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit z. Albin Kurti!
I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës.
Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara.
Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë tuaj dhe bashkëkombasit tanë.’
