Drejtim automjeti pa leje, kanosje, mashtrime, posedim i lëndëve narkotike dhe kontrabandë fishekzjarresh janë disa nga veprat për të cilat policia procedoi disa shtetas.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 21 vjeç, banues në Lushnjë, pasi drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. H., 47 vjeç, banues në fshatin Çermë Shkumbin, pasi ka kanosur nëpërmjet celularit, një 57-vjeçar, për motive të dobëta.
Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasi R. M., 47 vjeç, i cili ka kallëzuar se shtetasi J. S., 33 vjeç (aktualisht në paraburgim në IEVP Fier), i ka marrë një automjet duke e mashtruar se do t’ia blinte. Po punohet për gjetjen e automjetit dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. M., 26 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit F. K., 43 vjeçe, R. M., 62 vjeçe, dhe E. H., 41 vjeç, të tre banues në Roskovec, pasi në dyqanet e tyre janë gjetur fishekzjarrë, të cilët dyshohet se janë të kontrabanduar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
