Pas një hetimi 7 mujor, Policia e Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizoi operacionin e koduar “Prive”, duke goditur një rrjet të mirëorganizuar prostitucioni në një lokal në fshatin Mbrostar. Në pranga ranë pesë persona, përfshirë tre organizatorë shqiptarë dhe dy shtetase nga Uganda, që ushtronin prostitucion nën maskën e performancave në lokal.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi shuma parash në valuta të ndryshme, dy armë të ftohta dhe një automjet të përdorur për aktivitetin kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Prive”, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, pas një hetimi të kryer për rreth 7 muaj, në drejtimin e Prokurorisë.
Zbulohet një lokal në Mbrostar, ku ushtrohej prostitucion.
Arrestohen 5 shtetas, ndër to:
-3 organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale;
-2 shtetaset nga Uganda që ushtronin prostitucion.
Sekuestrohen shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga kjo veprimtari, 2 armë të ftohta dhe 1 automjet.
Gjatë operacionit “Prive”, u arrestuan shtetasit O. P., 29 vjeç, banues në Fier, K. H., 24 vjeçe, banuese në Peqin, O. G., 32 vjeçe, banuese në Fier, R. M., 24 vjeçe, banuese në Uganda dhe Sh. N., 22 vjeçe, banuese në Uganda.
Nga hetimet ka rezultuar se në një lokal në Mbrostar, ku shtetaset nga Uganda ishin punësuar për të performuar kërcime, ato ushtronin dhe prostitucion. Organizatorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale janë 3 shtetasit shqiptarë, në rolet e rekrutuesve dhe administratorëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
