Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i ka akorduar Certifikatën për Shërbime të Dalluara inspektorit të Policisë Rrugore, Klajdi Mustaj, për veprimin e tij të shpejtë dhe heroik në ndihmën e tre qytetarëve të plagosur pas një aksidenti në rrugën Levan-Fier.
Në një reagim zyrtar, Proda theksoi se “Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne.
Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore.
I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional.
Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve”.
Ngjarja ndodhi kur një makinë u përplas me një pishë anës rrugës, u përmbys dhe shpërtheu në flakë.
Pa pritur mbërritjen e shërbimeve zjarrfikëse, inspektori Mustaj ndërhyri menjëherë dhe arriti të nxjerrë të plagosurit nga makina në flakë, duke shmangur një tragjedi të madhe.
Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit që nga shkurti i vitit 2024, pasi përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme.
Veprimi i tij është shembull i qartë i përkushtimit dhe gatishmërisë së policisë në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve.