Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në mbrëmjen e 21 shkurtit, ka arrestuar pesë anëtarë të dyshuar të një “grupi të organizuar kriminal”, të cilët kishin planifikuar kryerjen e veprës penale “vrasje” dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” ndaj dy viktimave në Pejë.

“Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar: D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M., të cilët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, është thënë në njoftimin e Policisë.

Sipas një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se ka kryer kontrolle në gjashtë vendodhje të ndryshme, në të cilat janë gjetur dhe sekuestruar armë, përfshirë: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm.

Përgjatë operacionit policor është thënë të jetë sekuestruar edhe një sasi e lëndës narkotike, telefona celularë si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *