Seanca e radhës e gjyqit të dosjes “Plumbi i Artë”, është shoqëruar nga debate me tone të larta zëri pasi u përplasën ashpër prokurori i SPAK, Behar Dibra, dhe avokatja e të pandehurit Altin Ndoci, Elda Zotaj. Përplasja nisi pas pretendimeve të mbrojtjes se organi i akuzës ka fshehur prova që lidhen me çështjen.
“Kërkesa dhe deklarata që thoni se ne kemi fshehur prova nuk është e vërtetë. Nuk ka fshehje prove. Nëse nuk është sjellë, do ta sjellim.”, deklaroi Dibra. Por avokatja Elda Zotaj reagoi ashpër, duke këmbëngulur se provat nuk janë vënë në dispozicion të plotë të mbrojtjes.
Altin Ndoci, i cili është nën akuzë dhe rezulton i arratisur që prej muajit janar, përfaqësohet në proces nga mbrojtja ligjore. “Po e keni fshehur. Pse nuk i sillni provat? Apo ke frikë se je brenda? Po s’ke gjë për të fshehur, sill provat!”, u shpreh ajo. Mësohet se duke parë ecurinë e procesit gjyqësor, Gjykata vendosi të ndërpresë seancën dhe ta shtyjë procesin për në datën 3 mars, kur pritet të vijojë shqyrtimi i provave dhe kërkesave të palëve.
