Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar sot një interpelancë me Ministrin e Bujqësisë Andisa Salla për të kërkuar shpjegim dhe zgjidhje për disa nga shqetësimet e fermerëve dhe bujqve.
Braçe u ndal si fillim te qumështi i fermerëve të vegjël, duke thënë se është bërë një fushatë nga kompanitë të mëdha qumështi në vend, në mënyrë që qumështi i tyre të mos blihej, me pretendimet se lopën po prodhonin qumësht me aflatoksinë.
Brace thotë se analizat e qumështin nuk janë bërë nga ISUV, por nga laboratorë të po këtyre kompanive të mëdha, duke i bërë kështu të pabesueshme.
“Në janar një fushatë e tërë lajmëroi se lopët po prodhonin qumësht kancerogjen. U vura me dije nga një grup bujqish në Lushnjë, kërkonin ndihmë kudo. Mesazhet ishin zoti Braçe si jeni, jemi fermerë nga Bubullimës. Kompania e qumështit LUFRA po na shkatërron. Deri dje kishte skemë që gjoja i hedhim qumështit ujë. Çmimin e kishin ulur fare. Por tani kanë nxjerrë gjoja me aflatoksinë qumështin tonë. Duan të na përzënë fare. Ku të vemi, ku t’i çojmë lopët. Ku të mbyten?
Mesazhi tjetër, “Jam nga Bubullima. Na ndihmo me qumështin e fshatarëve që e dorëzojmë te LUFRA. Për fshatin e vetmja shpresë janë lopët. Të kam ndjekur. Po derdhim shumë qumësht në kanal, që për popullin janë gjaku i derdhur. Mesazhi i tretë, “LUFRA këto ditë ka lënë kudo radhë, ose qumështin e mëngjesit ose të mbrëmjes. Besoj se do e kenë thënë të tjerë, pronarja e thotë hapur që e merr më lirë pluhurin se qumështin vendas dhe njerëzit hedhin misër”.
Mesazhi tjetër, “zoti Erjon na fal për shqetësimin, por jam një qytetar nga Bubullima, LUFRA është bërë më agresive nga ajo që ti bëre problem me statusin tënd. Sot hakmerret me ne, s’na mori pikë qumështi dhe na la në shtëpi. Fill pas këtyre mesazheve i jam drejtuar institucioneve shtetërore”, u shpreh Braçe.
Ministri Salla, gjatë përgjigjes së tij iu drejtuar deputetit Braçe duke i thënë ndër të tjera se sa i përket çështjes së aflatoksinës, gjatë 2025 janë analizuar 32 mostra për aflatoksinë M1 në qumësht, nga të cilat 13 kanë rezultuar jo-konforme.
“Për të gjitha rastet jo, konforme, janë vendosur masa administrative, janë bllokuar produkte, konkretisht mijëra litra qumësht dhe dhjetëra kilogramë produkte të përpunuara, dhe është ndjekur gjurmueshmëria deri në fermë.
Kjo është shumë e rëndësishme të theksohet: sistemi është aktiv. Ai ka reaguar. Dhe ka reaguar në kohë.
Është e rëndësishme të kuptojmë burimin e problemit dhe të theksohet se aflatoksina në qumësht nuk krijohet në stabiliment apo baxho. Ajo vjen kryesisht nga ushqimi i kontaminuar i kafshëve, konkretisht nga aflatoksina B1 në misër ose koncentrate.
Kjo është arsyeja pse kontrollin nuk e kemi kufizuar vetëm në produktin final, por e kemi shtrirë në të gjithë zinxhirin – që nga ushqimit për kafshë i importuar, NË KUFI”, tha ministri.
