Izraeli është bërë vendi i parë që njeh zyrtarisht Republikën e vetëshpallur të Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran, një vendim që pritet të ndikojë ndjeshëm në ekuilibrat politikë në Afrikë.

Vendimi u shpall të premten nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e cilësoi njohjen si pjesë të frymës së Marrëveshjeve të Abrahamit.

Netanyahu deklaroi se Izraeli do të nisë bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në fusha kyçe si bujqësia, shëndetësia, teknologjia dhe ekonomia, ndërsa përgëzoi Presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi, duke e ftuar për një vizitë zyrtare në Izrael. Njohja u formalizua përmes një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga Netanyahu, ministri i Jashtëm Gideon Saar dhe presidenti i Somalilandit.

Nga ana e tij, Abdullahi njoftoi se Somalilandi do t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, duke e cilësuar këtë hap si kontribut për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.

Reagimi i Somalisë ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Qeveria federale e Mogadishut e quajti veprimin e Izraelit “të paligjshëm” dhe “sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit” të vendit, duke paralajmëruar masa diplomatike, politike dhe ligjore për të mbrojtur integritetin territorial të Somalisë.

Edhe Egjipti, së bashku me Turqinë dhe Xhibutin, dënoi njohjen e Somalilandit, duke paralajmëruar për rreziqe serioze për paqen dhe sigurinë në Bririn e Afrikës. Bashkimi Afrikan riafirmoi po ashtu mbështetjen e plotë për unitetin territorial të Somalisë dhe kundërshtoi çdo njohje të rajoneve të shkëputura.

Somalilandi ka funksionuar si entitet autonom që nga viti 1991, me stabilitet relativ krahasuar me pjesën tjetër të Somalisë, por deri tani nuk kishte arritur njohje ndërkombëtare. Autoritetet në Hargeisa shpresojnë se vendimi i Izraelit do të hapë rrugën për njohje të tjera dhe rritje të rolit të tyre në arenën ndërkombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *