Si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga Policia e Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët italianë përmes Interpol Tiranës, është arrestuar në Elbasan shtetasi shqiptar Zamir Halili, 50 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 47”. Arrestimi i Halilit u realizua pas shkëmbimit të shpejtë të informacioneve me Interpol Romën, duke bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij pa incidente.

Sipas autoriteteve italiane, Gjykata e Sienës e ka dënuar Halilin në vitin 2014 me 7 vjet burgim për plagosje, dhunë në familje dhe marrëdhënie seksuale me dhunë. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe rreth 6 vjet e 9 muaj burgim.

Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtësisht me autoritetet italiane për finalizimin e procedurave të ekstradimit të Halilit drejt Italisë, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds