Parku Fotovoltaik i Karavastasë i ndërtuar nga kompania franceze “Voltalia” u përurua të enjten. Ndërtimi i tij nisi në vitin 2022, me kapacitet 140 megavat dhe me investim 145 milionë euro.
Parku me i madh fotovoltaik në Ballkan, me çmimin nën 25euro për megavatorë, prodhon sot rreth 10% e energjisë së prodhuar në vend nga parqet fotovoltaike dhe synimi i socialistëve është që brenda 2030-ës të arrijë në 30%. Parku do të ndihmojë në sigurimin e energjisë së vendit pavarësisht reshjeve, pasi ky vit parashikohet të jetë i nxehtë dhe i thatë, tha ZvKryeministrja Belinda Balluku e pranishme në këtë event.
Në fjalën e tij Ministri i deleguar i Francës për Çështjet Europiane, Benjamin Haddad tha se është shumë e rëndësiashme prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme si parku i Karavastasë që është edhe prodhimi i dytë më i rëndësishëm i energjisë diellore në vend. Këto progrese i bëjnë të mundur Shqipërisë që të ecë me vendosmëri drejt bashkimit Evropian.
Ekaterina Solovova përfaqësuese e BERZH që është njëri nga financuesit e Parkut të Karavastasë, tha se BERZH do të mbështesë vendin me projekte të tjera.