Përroi i qytetit tonë pothuajse dy vjet pas përfundimit të punimeve për restaurimin e tij është kthyer në një “vendgrumbullim” i mbetjeve urbane dhe inerte duke shkaktuar ndotje, erë të pakëndshme, por dhe rrezik për shëndetin e banorëve që jetojnë në afërsi të tij.
Sot me kamerën tonë filmuam dy pamje kontrast me njëra tjetrën të përroit që përshkon qytetin tonë. Pjesa e përroit tek lagjja “Kadri Qystri” është e papastruar, e mbushur me bimësi, me mbetje urbane, me kafshë të ngordhura, ndërkohë pjesa e përroit tek lagjja “Çlirimi” është e pastër, vetëm bimësia përgjatë tij të bie në sy. Gjithashtu në pjesën pas policisë ku kalon përroi, plehrat janë hedhur jasht koshave të mbeturinave duke e bërë më të pistë dhe të rrezikshme për shëndetin e ambientin.
Për një kohë të gjatë vazhdon kjo gjëndje dhe bashkia akoma nuk ndërmerr asnjë nismë për pastrimin e zonës, akoma nuk ka një strategji që synon mbrojtjen e mjedisit urban dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.
Era e rëndë që vjen prej përroit bëhet pothuajse e padurueshme sidomos në verë për qytetarët që shëtisin në shëtitoren e përroit.
Ndërkohë qëllimi i pambajtur i Bashkisë Lushnjë kur filloi restaurimi i përroit ishte: Ky investim do të ketë një impakt direkt në cilësinë e jetës së mijëra banorëve që jetojnë në lagjet përreth përrorit, por edhe më tej të të gjithë qytetit, sepse mund të përdoret si hapësirë rekreative nga të gjithë qytetarët.
