Seanca e sotme parlamentare nisi në orën 10:00 dhe zgjati rreth 17 minuta. Gjatë seancës u hodhën tymuese dhe iu vu flaka fasoletave nga deputeti Flamur Noka që tentoi t’i vendoste flakën edhe karrigeve të vendosura grumbull në mes të sallës, por u ndalua nga Garda. Noka u përjashtua nga Kuvendi nga Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla, por refuzoi të dilte deri në momentin e mbylljes së seancës.
Mes një tymnaje shumëngjyrëshe socialistët vazhduan me rendin e ditës dhe me fjalimet e tyre, ndërkohë që opozita godiste me dorë tavolinat. Zonja Nikolla në mbyllje të kësaj seance jo normale tha se seanca e radhës do të njoftohet ditë tjetër.
Para nisjes së seancës së sotme deputetët e opozitës u konfrontuan me punonjësit e Gardës, se Garda kërkoi të kontrollonte çantat e demokratëve, por ata nuk pranuan me arsyetimin se është në shkelje të rregullores së Kuvendit.
Ish-kryeministri Sali Berisha, tha para gazetarëve se kjo ishte seanca e turpit dhe se mosbindja civile sot ishte suksesi i radhës i deputetëve të opozitës.
[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”jAGAIyl6Geo”]
