Dy banesa janë përfshirë nga flakët në lagjen “Liria”, në hyrje të qytetit të Shkodrës.

Në vendngjarje ndërhynë tre mjete zjarrfikëse, të cilat arritën të vendosin situatën nën kontroll pas një operacioni disa orësh.

Njëra nga banesat i përket familjes së Lulzim Seljës, me tetë anëtarë, e cila ka pësuar dëme të mëdha materiale. Zjarri ka shkrumbuar pothuajse çdo orendi, duke i lënë familjarët pa strehë.

“Nuk e di me saktësi shkakun, por ndoshta korrenti, sepse telat kanë qenë të zhveshur dhe kishte shumë lagështirë. Jemi tetë vetë, gjashtë fëmijë dhe unë me gruan. Tani jemi në rrugë, pa asgjë. Punoj hamall, s’kam çfarë të bëj. Të na vijë ndihmë nga shteti apo kushdo tjetër”-apeloi kryefamiljari.

Zjarri rrezikoi të përhapej edhe në banesat përreth, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Autoritetet po hetojnë shkaqet e ngjarjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *