Rritja e çmimeve më shumë prek pensionistët se sa pjesën tjetër të popullatës, pasi buxheti i tyre mujor më tepër harxhohet në blerjen e ushqimeve, që janë shtrenjtuar ndjeshëm. Anketa e buxhetit të familjeve tregon se në 2021 për moshat në pension pesha e ushqimeve është 59 për qind e shpenzimeve mujore. Sipas matjeve të INSTAT, gjatë periudhës qershor 2022- qershor 2023 treguesi zyrtar i inflacionit në vendin tonë ishte 6.9 për qind, ndërsa inflacioni i pensionistëve ishte 8.6 për qind, ose 1.7 pikë për qind më i lartë se treguesi mesatar.

INSTAT pas Covid-19 dhe luftës në Ukrainë ka një tregues të përmuajshëm për inflacionin e pensionistëve. Kjo praktikë shërben për të indeksuar pensionet më shumë se dy herë në vit nëse ndodhin rritje të mëdha çmimesh. Të dhënat zyrtare nga skemat publike të pensioneve tregojnë se pensioni mesatar në Shqipëri është 39% më i ulët se në Rajon këtë vit. Legjislacioni shqiptar nuk ka një përkufizim ligjor që të garantonojë të ardhura minimale për popullsinë dhe kjo vështirëson mangësitë në të ardhura në kategori të caktuara ta popullatës. Një studim i vitit 2021 porositur nga Avokati i Popullit rekomandoi që Shqipëria duhet të japë një përkufizim ligjor të standardin minimal të jetesës dhe formësimin social.

Avokati i Popullit e përllogariti minimumin jetik 18,500 lekë në muaj për 2022. Të gjitha pagesat nën këtë nivel duke përfshitë edhe pensionet duhet të mbulohen nga qeveria nëpërmjet fondit të ndihmës ekonomike.

Duke qenë se një pjesë e madhe e pensionistëve nuk përmbushin kushtet ligjore për pagesa të plota te pensionit pasi shumica kanë punuar në informalitet dhe nuk kanë paguar kontribute, qeveria mund të kompensojë nga skema e ndihmës ekonomike ata që marrin pension poshtë minimumit jetik. Nga data 1 tetor 2023 pensionet në të gjithë vendin u rritën me 8.6 për qind bazuar në indeksin e shportës së pensionistëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds