Parlamenti Europian miratoi sot me 502 vota nga 686 prezentë në sallë, Raportin 2023-2024 për Shqipërinë, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder.
Pas një debati të zhvilluar një ditë më parë dhe pas miratimit me datë 4 qershor 2025 nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET), Parlamenti Europian miratoi sot, në seancë plenare në Strasburg, raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024.
Votimi ne PE
RAPORTI I KE
Komisioni Europian publikoi dje raportin për Shqipërinë sa i përket shtetit ligjor, ku thekson se ka vazhduar zbatimi i reformës në drejtësi duke forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë.
Në raportin e KE-së thuhet se ka ende sfida sa i përket vlerësimeve në kohë dhe me cilësi si dhe me emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.
Sa i përket Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, KE-ja raporton se institucioni është funksional, por numri i lartë i vendeve vakante ndikon në efektivitetin e tij.
Gjithashtu Komisioni Europian në raportin e tij vlerëson punën e SPAK.
“Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) konsolidoi më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe bëri përparim të prekshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë luftë”, theksohet në raport.
Lidhur me luftën ndaj korrupsionit raporti thekson se “Policia e Shtetit mbetet e ndjeshme ndaj korrupsionit”.
Sa i përket Gjykatës Kushtetuese në raport thuhet se funksionon në mënyrë efektive, por Komisioni Europian vëren se ka “shqetësime për mosrespektimin e vazhdueshëm nga ana e Kuvendit të disa vendimeve të saj, si dhe pasiguri ligjore për kohëzgjatjen e saktë të mandatit të anëtarëve të saj”.
Komisioni Europian thotë se qëndrueshmëria e sistemit gjyqësor është përmirësuar.