Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi menjëherë pas vendimit të opozitës për të braktisur sallën e Kuvendit gjatë votimit të ndryshimeve të Rregullores. Në një prononcim për mediat jashtë godinës së Parlamentit, ai theksoi se opozita ishte kundër këtyre ndryshimeve, pasi mazhoranca nuk kishte marrë parasysh kërkesat e tyre.
Bardhi u shpreh se, përpjekjet e opozitës që nga mëngjesi, duke nisur nga diskutimet dhe deri tek ato të fundit, kishin për qëllim ndryshime që ishin në përputhje me Kushtetutën, por që nuk u morën parasysh nga mazhoranca. “Pas përpjekjeve tona që nga diskutimet e mëngjesit dhe ato tani, vendosëm të mos përfshihemi në këtë procedurë antikushtetuese,” tha ai, duke theksuar se ky veprim i mazhorancës ishte në kundërshtim me parimet themelore të ligjit dhe rendit kushtetues.
Kur u pyet për mundësinë e dërgimit të emrave të përfaqësuesve opozitarë në 11 komisionet që po krijohen, Bardhi u shpreh se kjo ishte një çështje që do të vendosej nga grupi parlamentar i PD-së. Ai theksoi se opozita do të sigurojë që asnjë hapësirë të mbetur bosh të mos mbetet përveçse për opozitën. “Ky është një vendimmarrje që do e marrë grupi parlamentar. E sigurt është që ne nuk do të lëmë asnjë hapësirë bosh që i përket opozitës në Parlamentin e Shqipërisë,” theksoi deputeti demokrat.
Në fund, Bardhi njoftoi se menjëherë pas seancës së mesditës, grupi parlamentar i PD-së do të mblidhej në një mbledhje urgjente për të diskutuar hapat e ardhshëm. “Ne tani po largohemi për një mbledhje urgjente të grupit parlamentar dhe do të marrim vendime, dhe do të rikthehemi në seancën e orës 17:00,” përfundoi ai.
