Sipas një hulumtimi të studiueses Lindita Komani, rreth 22 për qind e fëmijëve të viktimave të komunizmit në Shqipëri vuajnë nga ankthi, një prirje shumë herë më e lartë krahasuar me grupet e tjera të popullsisë, ku kjo shifër është 3.8 për qind.

Nivel shqetësues ankthi, gati 40 për qind, vërehet edhe tek pasardhësit e viktimave të komunizmit që janë shpërngulur në Shtetet e Bashkuara, thotë autorja e studimit.

Sipas studimit, rreth 80 për qind e baballarëve dhe 70 për qind e nënave që janë viktima të komunizmit vuajnë nga trauma.

Këto të dhëna zonja Komani i prezantoi në një diskutim mbi komunizmin në Shqipëri dhe pasojat psikologjike të tij, të organizuar në mjediset e Muzeut të Fondacionit të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Uashinton.

Për gati gjysmë shekulli të regjimit komunist, Shqipëria u përball me një nga diktaturat më të ashpra ku mijëra vetë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën e internuan. Populli shqiptar ishte i izoluar nga pjesa tjetër e botës, plotësisht i varur dhe i nënshtruar nga partia dhe diktatori, me njerëzit që jetonin nën frikë të vazhdueshme.

Sipas studiueses Komani ndër pasojat e dukshme të shoqërisë janë mosbesimi tek njëri tjetri, dorëzimi para udhëheqësve të fuqishëm, frika për t’u shprehur dhe mungesa e vullnetit për ta përmirësuar gjendjen në vend.

Fondacioni i Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit është një organizatë e themeluar para 30 vitesh, ndërsa muzeu i saj në Uashington është hapur para tre vitesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds