Reagon Prokuroria nëpërmjet një njoftimi për shtyp pas protestës së 70 grave të një fasonerie në Fier që u zhvillua të shtunën para Prokurorisë, për zvarritjen e hetimeve nga Prokuroria.
Në njoftimin për shtyp thuhet se nisur nga interesi i lartë dhe ndjeshmëria e çështjes dhe për të sqaruar opinionin publik, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier bën me dije se më datë 09.08.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.957, për veprën penale “Falimentimi i provokuar”, parashikuar nga neni 193, i Kodit Penal.
Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga një grup punonjësish të subjektit “O.A” SH.P.K., me administrator z. E.T, të cilët pretendojnë për shkelje ligjore të kryera nga kjo shoqëri lidhur më mosdhënien e pagave dhe mbylljen e aktivitetit.
Në funksion të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh hetimorë. Çështja penale është ende në hetim dhe po vijon puna me kryerjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbulimin e së vërtetës.
