Qeveria ka miratuar në mbledhjen e radhës, vendimin për krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor e cila do të ketë statusin e një organizate jofitimprurëse dhe do të trajnojë stafet e njësive të pushtetit lokal. Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave thuhet se kjo strukturë e re do të trajnojë në mënyrë të vazhdueshme stafet e administratës vendore nga kryetarët e bashkive e deri te nëpunësit e thjeshtë.

Kjo, siç thuhet në VKM, “me qëllim rritjen e performancës profesionale në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e

Në vendimin e qeverisë, theksohet se autorizohet ministri përgjegjës për çështjet vendore për negocimin dhe firmosjen e marrëveshjes me njësitë e qeverisjes vendore për krijimin e personit juridik si subjekt i kompetencave të përbashkëta me vetëqeverisjen vendore, për rritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore në vendin tonë.

VKM e plotë

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të  pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Autorizimin e ministrit përgjegjës për çështjet vendore për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, për krijimin e subjektit të kompetencave të përbashkëta, në formën e organizatës jofitimprurëse, për zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale për t’u shërbyer komuniteteve dhe për t’i ndihmuar ato në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ndihmesa financiare konsiston në mbulimin e kostos fillestare të themelimit të subjektit të kompetencave të përbashkëta dhe të jo më pak se 50% të kostove operacionale të funksionimit të saj për tri vitet e para të funksionimit për përmbushjen e objektivave.

Ministri përgjegjës për çështjet vendore merr pjesë në komitetin drejtues të subjektit të kompetencave të përbashkëta.

Ndihmesa financiare, sipas pikës 2 të këtij vendimi, të parashikohet në buxhetin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Ministri përgjegjës për çështjet vendore sigurohet që, për programet e ofruara, të merret pëlqimi paraprak nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit, pa penguar zhvillimin e realizimin e tij, me përjashtim të rastit kur për module përkatëse vërtetohet se është kryer planifikimi për vitin akademik përkatës nga ana e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

Ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet vendore, Ministria e Financave dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds