Nga janari 2026 nis sistemi “bonus-malus”, që rrit çmimet për shoferët me aksidente dhe ul për ata pa dëme.

Rregullorja e re për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve do të fillojë të zbatohet plotësisht nga 1 janari 2026, sqaron Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Për vitin 2026, sigurimi i makinës nuk do të kushtojë më njësoj për të gjithë, pasi të gjithë drejtuesit që kanë historik negativ me aksidentet do të paguajnë më shumë sigurim vitin e ardhshëm, thotë Mimoza Kaçi Drejtuesja e Autoritetit të Mbikëqyrjes.

Sipas rregullores, në përllogaritjen e primit të sigurimit përveç historikut të aksidenteve do të merret në konsideratë edhe fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës.

Moshat e reja, eksperienca e paktë apo makina e vjetër konsiderohen të gjithë rreziqe që shtrenjtojnë siguracionin. 

Në sistemin “bonus-malus” drejtuesit pa aksidente do të përfitojnë “bonus”, pra ulje të çmimit të sigurimit, ndërsa ata që kanë shkaktuar dëme do të penalizohen me “malus”, ose rritje të tarifës. Sipas AMF-së, rreth 3.8% e drejtuesve të mjeteve në vend pritet të penalizohen për shkak të historikut të dëmeve.

Ndërkohë, aksidentet e ndodhura përpara vitit 2025 nuk do të merren në konsideratë, pasi sistemi i ri fillon zbatimin nga e para. Kjo synon të nxisë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes më të madh në qarkullim dhe të reduktojnë numrin e dëmeve të raportuara.

Gjithashtu do të lejohet lëshimi i patentës profesionale të kategorisë C për drejtues 18-vjeçarë. Rregullorja e re parashikon edhe futjen e standardeve të reja të trajnimit dhe testimit për marrjen e patentës, si edhe kontrollin mjekësor të detyrueshëm para dhënies së saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *