Shtatë ndeshje pa fitore, katër humbje radhazi. Partizani po përjeton një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit.
Të kuqtë e nisën relativisht mirë sezonin dhe bënë mirë në gjysmën e parë, aq sa ende mbahen me ato pikë të grumbulluara në atë periudhë. Skuadra duket sikur e ka humbur tërësisht identitetin dhe po shfaqet një ekip që mund ta mposhtë kushdo.
Humbja e së mërkurës kundër Vllaznisë konfirmoi se të kuqtë të paktën për momentin nuk janë në gjendje të luftojnë për titullin. Por si zbriti Partizani deri në këtë pikë? Shkaqet, arsyet, gabimet dhe fajet, mund të jenë të shumta, por kemi renditur gjashtë prej tyre, që me siguri janë edhe më kryesoret.
1.LARGIMET, NË JANAR – Nuk kishte nevojë që skuadra të zbriste në fushë për të vërtetuar se largimet e Carës, Rrapajt, Hadrojt dhe Mba do të ndikonin direkt në lojën dhe rezultatet e skuadrës. Kjo u vërtetua me shpejtësinë e “erës” dhe gjithçka duket si kristali tani. Të shesësh lojtarë është sukses për një klub shqiptar, por të heqësh 4 titullarë absolut në mesin e sezonit dhe të mos i zëvendësosh me lojtarë po aq cilësorë, përbën “vetëvrasje”.
2.MERKATO E DËSHTUAR – U bënë dy muaj që lojtarët e ardhur nga merkato janë bashkuar me ekipin dhe pas kësaj periudhe nuk mund të themi se ata nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion për të treguar sa vlejnë. Dhe ajo që kemi parë është lojtarë mesatarë, pa asnjë ndikim në lojën e ekipit dhe shumë larg cilësive të lojtarëve të larguar. Deri më tani asnjë afrim nuk mund të cilësohet si goditje e madhe, teksa i vetmi që merr notë kaluese është Podstrelov. Dy merkatot e fundit te Partizani kanë rezultuar të dështuara dhe këtë nuk e themi ne, e thotë loja dhe rezultatet në fushë.
3.ATMOSFERA NË KLUB – Te Partizani zënkat, mosmarrëveshjet apo konfliktet janë bërë gjithnjë në heshtje, përmes një “lufte të ftohtë”, që në të shumtën e rasteve mbyllej me shkarkimin e njërës palë. Kjo ndodhi derisa ish-trajneri Veselinoviç doli në deklaratë dhe e tha të vërtetën ashtu siç e mendon. Ai u shpreh se largimet e kanë rënduar gjendjen dhe se kjo skuadër nuk është për titull, diçka që po vërtetohet dalëngadalë. Nga ana tjetër, ai tregoi se drejtuesit e tjerë deri në atë pikë nuk kishin bashkëpunuar me të për merkaton. Ky ishte një sinjal i qartë se gjërat brenda klubit dhe rrjedhimisht edhe ekipit ishin të tensionuara. Në kushte të tilla skuadra e ka të vështirë të shfaqë më të mirën dhe të krijojë një grup që sakrifikojnë për njëri-tjetrin.
4.FILOZOFI “BJERI, T’I BIEM” – Që me ardhjen e ishtrajnerit Veselinoviç Partizani u bë një skuadër “e shëmtuar”. Serbi u duk sikur kishte të injektuar filozofinë e skuadrave të mbijetesës, që mbrohen të mos pësojnë dhe shpresojnë për ndonjë gabim të kundërshtarëve për të shënuar. Partizani luante me një “qerre” me mbrojtës qendre dhe humbi komplet forcën nga krahët dhe fantazinë që duhet për të sulmuar. Abilaliaj po mundohet të ndryshojë diçka, por sërish shohim shumë topa “të flakur” drejt sulmit, ku shpresohet që Bintsuka t’i ulë dhe të bëjë diçka përpara.
5.MBROJTJA NË KOLAPS – Mbrojtësit e Partizanit po falin shumë. Skuadra ka hyrë në një ngërç të madh psikologjik, që duket se po ndikon në mënyrë direkte te lojtarët e repartit difensiv. Kemi parë gafa të Sembene, Domgjonit apo Qirkos së fundmi. Deri para disa ndeshjesh, mbrojtja e kuqe ishte e pakalueshme, tani si kullesë makaronash. Nga ana tjetër nuk po shkëlqen as sulmi, ku mungon një lojtar goli nga ata që me një rast të fitojnë ndeshjen.
6.MESFUSHË INFERIORE – Mesfusha është “zemra” e një ekipi. Nëse ky repart është në nivel, mund të mbulojë edhe gabimet apo mangësitë që kund të ketë mbrojtja dhe sulmi. Te Partizani nuk po ndodh kjo për shkak se cilësia, eksperienca, fantazia dhe saktësia e lojtarëve të këtij reparti nuk bashkohet me ambiciet e klubit. E shohim që në çdo ndeshje kundërshtarët fitojnë duelet dhe marrin terrenin e fushës.
