Draft-raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë për vitin 2025.
Draft raporti vlerëson progresin e shpejtë në negociatat e anëtarësimit dhe hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve.
Më tej thekson se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është i arritshëm, por kërkon zbatim të plotë dhe të pakthyeshëm të reformave, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet dhe lirinë e medias.
“Duke qenë se forcimi i institucioneve demokratike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe të drejtat themelore mbeten thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit“, thekson PE.
“Pavarësisht arritjeve Shqipëria akoma përballet me sfida të ndryshme si për shembull, kapërcimi i polarizimit të brendshëm politik, dhe përmirësimin e kulturës politike. Duke forcuar ligjet dhe duke konsoliduar reformat e antikorrupsionit. Raporti i këtij viti vendos fokusin në reformat socio-ekonomike dhe nënvizon rëndësinë e dialogut social për të arritur rezultat.”, thuhet në raport.
Parlamenti Evropian,
– duke pasur parasysh Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shteteve Anëtare të tyre, nga njëra anë, dhe Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër,
– duke pasur parasysh aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, paraqitur më 24 prill 2009,
– duke pasur parasysh Rregulloren (BE) 2021/1529 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 15 shtatorit 2021 për krijimin e Instrumentit për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA III),
– duke pasur parasysh Rregulloren (BE) 2024/1449 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 14 majit 2024 për krijimin e Mekanizmit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor,
– duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 5 shkurtit 2020 “Forcimi i procesit të anëtarësimit – Një perspektivë e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor”,
– duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 8 nëntorit 2023 “Plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor”,
– duke pasur parasysh Agjendën e Reformave të Shqipërisë të paraqitur në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes së BE-së, siç është miratuar nga Komisioni më 23 tetor 2024,
– duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 8 korrikut 2025 “Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025”, i shoqëruar me dokumentin e punës së shërbimeve të Komisionit “Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025 – Kapitulli për situatën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”,
– duke pasur parasysh komunikimin e Komisionit të 4 nëntorit 2025 “Komunikimi 2025 për Politikën e Zgjerimit të BE-së”, i shoqëruar me dokumentin e punës “Raporti për Shqipërinë 2025”,
– duke pasur parasysh raportin përfundimtar të 23 tetorit 2025 të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it të OSBE-së mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë të 11 majit 2025,
– duke pasur parasysh deklaratën e Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel më 17 dhjetor 2025,
– duke pasur parasysh rezolutat e mëparshme për Shqipërinë,
– duke pasur parasysh nenin 55 të Rregullores së tij,
– duke pasur parasysh raportin e Komisionit për Punët e Jashtme (A10-0000/2026),
A. duke qenë se zgjerimi i BE-së mbetet një investim strategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe zhvillim demokratik e socio-ekonomik në të gjithë kontinentin evropian;
B. duke qenë se Shqipëria ka ruajtur një orientim të qartë strategjik drejt anëtarësimit në BE dhe ka demonstruar përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP) të BE-së;
C. duke qenë se Shqipëria është vend kandidat që nga viti 2014, ka nisur negociatat e anëtarësimit në korrik 2022, ka përfunduar me sukses procesin e “screening”-ut në nëntor 2023 dhe ka hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave ndërmjet 15 tetorit 2024 dhe 17 nëntorit 2025;
D. duke qenë se Raporti i Komisionit për vitin 2025 konfirmon se vendi vazhdon të bëjë progres në shumicën e fushave të lidhura me anëtarësimin, ndërsa thekson nevojën për reforma më të thella, më të qëndrueshme dhe të pakthyeshme;
E. duke qenë se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektiv i reformave, jo vetëm nga miratimi formal i legjislacionit;
F. duke qenë se forcimi i institucioneve demokratike, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe të drejtat themelore mbeten thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit;
G. duke qenë se rekomandimet e OSBE/ODIHR për përmirësimin e procesit zgjedhor ende nuk janë zbatuar plotësisht;
1. Përshëndet angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për integrimin në BE, të bazuar në konsensusin mes forcave politike dhe mbështetjen e gjerë qytetare, si dhe faktin që u hapën të gjitha grup-kapitujt brenda vetëm 13 muajve;
2. Përshëndet ambicien për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027 dhe progresin e shpejtë të viteve të fundit; thekson nevojën për zbatim të plotë të legjislacionit;
3. Vëren se kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm, por shpreh shqetësime për barazinë e kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuzat për blerje votash dhe presion mbi votuesit; bën thirrje për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias;
4. Shpreh shqetësim për polarizimin politik dhe diskursin përplasës që dëmton funksionimin e institucioneve demokratike;
5. Inkurajon forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, transparencën legjislative dhe konsultimin me shoqërinë civile;
—
## Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit
6. Përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vettingut; vëren sfida si vonesat në çështje dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë;
7. Kërkon forcimin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe investime në infrastrukturë e dixhitalizim;
8. Thekson se korrupsioni mbetet shqetësim serioz dhe kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta;
9. Insiston në adresimin e korrupsionit në të gjitha nivelet për të rritur besimin e qytetarëve;
10. Thekson rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit me agjenci të BE-së si Europol dhe Eurojust;
—
## Të drejtat themelore dhe liria e medias
11. Kërkon mbrojtje më të fortë të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik;
12. Inkurajon forcimin e mbrojtjes së minoriteteve dhe grupeve të cenueshme, përfshirë romët, egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara, punëtorët migrantë dhe personat LGBTIQ+; shpreh shqetësim për retorikën antigjinore;
13. Nënvizon nevojën për përmirësimin e aksesit në drejtësi;
—
## Reforma në administratën publike
14. Vlerëson progresin, por kërkon depolitizim dhe rekrutime mbi bazë merite;
15. Kërkon planifikim më të mirë të politikave dhe transparencë buxhetore;
—
## Reforma socio-ekonomike dhe mjedisi
16. Përshëndet angazhimin në Planin e Rritjes së BE-së, por vëren dobësi strukturore si informaliteti dhe produktiviteti i ulët;
17. Thekson rëndësinë e investimeve në arsim dhe inovacion;
18. Nënvizon rëndësinë e dialogut social dhe përfaqësimit sindikal;
19. Shpreh shqetësim për mungesën e progresit në mjedis dhe klimë;
—
## Politika e jashtme dhe bashkëpunimi rajonal
20. Përgëzon për përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së;
21. Thekson rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë;
—
## Mbështetja e BE-së
22. Përshëndet ndihmën financiare dhe teknike të BE-së, duke theksuar lidhjen e saj me zbatimin e reformave;
23. Ngarkon Presidentin e Parlamentit që ta përcjellë këtë rezolutë institucioneve përkatëse të BE-së dhe autoriteteve të Republikës së Shqipërisë.
—
# SHPJEGIM
Ky raport vlerëson progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe përfshin reagimin e Parlamentit ndaj raportit të zgjerimit të vitit 2025.
Shqipëria, vend kandidat që nga 2014, ka nisur negociatat në korrik 2022 dhe ka hapur të gjithë grup-kapitujt deri në nëntor 2025, në një kohë rekord.
Për të arritur objektivin e anëtarësimit deri në fund të dekadës, zbatimi efektiv i reformave do të jetë thelbësor.
Megjithë progresin, sfida mbeten polarizimi politik, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit.
