Policia e Parisit hapi zjarr ndaj një gruaje e cila kërcënonte se do të hidhej në erë në metronë e qytetit. Gruaja e mbuluar dyshohet se kërcënimet me vdekje i bëri në mbështetje të terrorizmit në një stacion treni në kryeqytetin francez.

Gruaja fillimisht u izolua nga policia dhe më pas u qëllua duke mbetur e plagosur rëndë. Dëshmitarët e pyetur nga mediat franceze thanë se, gruaja ishte “plotësisht e mbuluar” dhe bërtiste “Allahu Akbar”.

Shërbimi zjarrfikës, i cili ofroi ndihmën e parë për gruan, tha se ajo u godit nga një plumb në bark. Ajo u transferua në një spital aty pranë dhe është nën kujdesin e mjekëve.

Transmetuesi BFM TV dhe gazeta e përditshme Le Parisien cituan më herët burime policore duke thënë se sjellja e gruas tregonte një motivim të mundshëm “terrorist” islamik.
Gruaja e panjohur, u izolua në stacionin e Bibliotekës François Mitterrand, e cila u evakuua menjëherë nga të gjithë pasagjerët pas indikacioneve të parashikuara nga plani anti-terrorist që është në zbatim që prej 13 tetorit pas goditjes me thikë të një mësuesi në një shkollë publike nga një ekstremist islamik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *