Është mbyllur një tjetër javë pozitive për lojtarët e Kombëtares shqiptare, të cilët vazhdojnë të jenë protagonistë për ekipet e tyre me gola dhe asiste.

Medon Berisha shënoi golin e parë në Seria A me klubin e Lecce-s. Mesfushori i Kombëtares, që ka blinduar vendin e titullarit, realizoi një gol spektakolar nga një goditje dënimi, duke i shënuar skuadrës së Udinezes. Në këtë ndeshje, titullar në mesfushë krah Berishës ishte edhe Ylber Ramadani.

Jasir Asani vazhdon të jetë protagonist në Iran me skuadrën e Esteghlalit. Në fitoren 3-0 në transfertë ndaj Fajr Sepasit, Asani zhbllokoi takimin në minutën e 42-të nga penalltia, duke u treguar i saktë përballë portierit kundërshtar.

Cristian Shpendi u rikthye këtë fundjavë te goli, pasi shënoi në sfidën Sudtirol – Cesena, që përfundoi 0-1 falë golit të sulmuesit të Kombëtares. Për Cristian Shpendin ky ishte goli i tretë këtë sezon me fanellën e Cesenës.

Nazmi Gripshi luajti ndeshjen e fundit në kampionat me Astanën, që luftoi deri në fund për të fituar titullin kampion, por pa sukses. Në duelin vendimtar ndaj Kairat Almaty, Astana barazoi 1-1 dhe Gripshi asistoi për golin e vetëm të skuadrës së tij në minutën e 15-të.

Taulant Seferi ishte protagonist me një asist në fitoren 2-0 të Bodrumsporit ndaj Igdir FK. Në minutën e 79-të, futbollisti kuqezi shërbeu saktë për shokun e skuadrës Habesoglu, që shënoi golin e dytë dhe vulosi fitoren e Bodrumsporit.

Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Klisman Cake, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Kristjan Asllani, Arbër Hoxha, Mirlind Daku dhe Rey Manaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *