Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani bëri thirrje të enjten për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse në një kohë kur siç tha, sulmet hibride vazhdojnë të jenë një sfidë reale për qëndrueshmërinë kombëtare.

Ajo i bëri këto komente gjatë një konference të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën “Qëndrueshmëria kombëtare – sfidat dhe rruga përpara”, gjatë së cilës theksoi se siguria nuk nënkupton vetëm mungesën e kërcënimeve, por aftësinë për t’u përballur me sfida të ndryshme.

Presidentja Osmani tha se në këtë drejtim, investimi i vazhdueshëm në armatim si dhe në personelin ushtarak është thelbësor për sigurinë.

Drejtori i Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, Gjeneral brigade Christian Nawrat tha se për t’u bërë një shoqëri e qëndrueshme, autoritetet civile dhe ushtarake duhet të krijojnë aftësi për identifikimin, vlerësimin dhe trajtimin e informacionit armiqësor.

“Aftësia për të komunikuar me shpejtësi, saktësi dhe vërtetësi janë çelësi i qëndrueshmërisë në kohë paqeje dhe kaosi. Nëse ju nuk tregoni historinë tuaj, dikush tjetër do ta tregojë atë për ju”, tha ai duke nënvizuar rëndësinë bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve në Kosovë.

“Ndërtimi i qëndrueshmërisë efektive përmes gatishmërisë civile kërkon angazhim aktiv, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga sektori privat, i cili zotëron pjesën më të madhe të infrastrukturës kritike për funksionet thelbësore shoqërore dhe ushtarake. Bashkëpunimi si me sektorin ushtarak ashtu edhe me shoqërinë civile është një rrugë drejt së ardhmes”, tha ai.

Autoritetet në Kosovë thonë se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse si dhe integrimi në NATO mbetën përparësi strategjike e kombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds