Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-efektivin e antiterrorit Igli Haxhia që u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët me autoritetet italiane. Haxhia akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre e nxjerrje të sekretit hetimor

Asti Llupi, Altin Shehaj dhe Erald Salla do të dalin para gjykatave të rretheve, pasi janë arrestuar me qëllim ekstradimi pasi masat janë dhënë nga gjykata e Breshias.

Haxhia ka deklaruar para togave të zeza: “Më kanë përdorur emrin, nuk kam pasur “Sky Ecc” dhe nuk kam komunikuar asnjëherë me këtë aplikacion”

OPERACIONI SHQIPËRI–ITALI

Një efektiv i policisë që ka arritur të futet deri në strukturën e ngushtë të njësisë Anti terror, u arrestua pasi nën uniformën e shtetit akuzohet se i ka shërbyer një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë,  që dyshohet se ka trafikuar gati 1.3 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës, kryesisht italisë.

Rrjeti i cilësuar si klani shqiptar i drogës, u godit në një operacion të përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme, SPAK, agjencive ligjzbatuese të Breshias në Itali dhe prokurorisë së Zvicrës, ndërsa aksioni sipas mediave në vendin fqinj u shtri edhe në Francë dhe Angli.

Gjykata e Breshias kishte caktuar masa sigurimi arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” për 24 persona, nga të cilët sipas SPAK është verifikuar se 6 (gjashtë) prej tyre ndodhen në Shqipëri, nga të cilët tre u vunë në pranga.

SPAK thotë se hetimet treguan se agjenti Igli Haxhiaj, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale ka kërkuar përfitime monetare në këmbim të zbulimit të të dhënave sekrete, si dhe ka kryer veprime dhe mosveprime të mëtejshme në kundërshtim me ligjin për llogari të  një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës me bazë në vendin tonë.

Ndërkohë me kërkesë të SPAK dhe miratim të Gjykatës së Posaçme në vendin tonë u kryen kontrolle objektesh për 21 persona nën hetim për të cilat “Ora News” ka siguruar këto pamje.

SPAK dhe autoritetet italiane sqarojnë se  grupi me bazë operative në Shqipëri dhe me degëzime në Itali dyshohet se trafikonte drogë nga Amerika e Jugut, duke shfrytëzuar rrugë tregtare që kishin si destinacion portet e mëdha të Evropës Veriore. Në Itali është provuar se ata kishin 6 baza.

SPAK thotë se nga hetimet rezulton se paratë e përfituara nga shitja e drogës janë transportuar përmes të ashtuquajturve “money mules” ose korrierë mes të cilëve edhe shoferë autobusi të linjës Itali-Shqipëri, të cilët dyshohen si pjesë e grupeve kriminale.

Gjatë  hetimeve në Itali janë arrestuar në flagrancë 10  persona, pjesë e grupit kriminal dhe janë sekuestruar mbi 550.000 euro ‘cash’, 10 autovetura, 1 pistoletë gjysmë-automatike.

Po ashtu u kapën  130 kg lëndë narkotike (kokainë dhe heroinë) e cila, në rast se do të hidhej në treg mund të arrinte vlerën e rreth 12 milionë eurove.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *