Një operacion i gjerë ndërkombëtar kërkim-shpëtimi po zhvillohet në hapësirën detare shqiptare, për gjetjen e një pasagjeri të raportuar të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.
Zona e kërkimit është shtrirë nga Kepi i Stillos në jug, deri në grykderdhjen e Semanit në veri, duke përfshirë segmentet detare pranë Ksamilit dhe Karaburunit.
Operacioni është koordinuar nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Policinë Kufitare, si dhe autoritetet italiane të kërkim-shpëtimit.
Në operacion janë angazhuar gjithsej 8 mjete ajrore dhe detare, përfshirë 1 dron i Forcave Ajrore, 1 helikopter i Forcave të Armatosura me 3 efektivë, 1 anije patrulluese e Forcës Detare me 4 efektivë, 1 motor uji me 2 efektivë si dhe 4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare me gjithsej 13 efektivë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në varësi të kushteve detare dhe zhvillimeve të reja.