Një aksion i përbashkët mes prokurorisë së Breshias dhe Prokurorisë së Posaçme shqiptare është duke u zhvilluar së fundmi.
Raportohet se si pasojë e këtij operacioni, SPAK-u ka lëshuar dhjetëra urdhër-arreste, ndërsa nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi ngjarjen në zhvillim.
Burime bëjnë me dije se për sekret hetimor, nuk konfirmohen zonat ku po zhvillohen operacionet për zbatimin e urdhër-arresteve.
Ndërkaq mësohet se gjithçka po drejtohet nga hetuesit italianë dhe lidhet me çështjen e Artur Hoxhosmanit që u vu në masë sigurie në Itali, ndërsa është me masë dhe në vendin tonë.
Kujtojmë se dy ditë më parë u zhvillua një operacion i madh në Itali që çoi në goditjen e një grupi që trafikoi 27 mln euro kokainë nga Amerika e Jugut në Itali.
Autoritetet italiane kanë lëshuar edhe 6 masa sigurie për shqiptarë, mes tyre edhe Artur Hoxhosmani i njohur ndryshe si “Turi i Burrelit“.
Ky i fundit është një emër jo pak i njohur për autoritetet e vendit tonë.
Ai rezulton i arrestuar me urdhër të SPAK pas goditjes së grupit të Plaurent Dervishajt, Erion Alibejt dhe bosit të Cincos, Ermir Ndreaj.
Operacioni i SPAK që çoi në pranga Artur Hoxhosmanin u organizua në korrik të këtij viti, pas zbërthimit të aplikacionit SkyECC.
Ky grup dyshohet se ka trafikuar 6 ton kokainë me vlerë tregu 411 milionë euro.
Ai u arrestua në Palasë, ku ishin bashkë me bosin e Cincos, Ndreaj dhe vëllain e tij Klevis Hoxhosmani duke shijuar rrezet e diellit në një skaf.
Ndërkohë, për këtë operacion Dervishajt dhe Alibejt iu komunikua masa e arrestit në qeli, pasi janë në burg edhe për dosjen e Plumbit të Artë.
Tashmë për shqiptarin Artur Hoxhosmani ka lëshuar masë sigurie edhe Italia.
Emri i tij është përmendur edhe në trafikun e drogës në Angli.
Mediat britanike i kanë kushtuar disa herë artikull dy vëllezërve biznesmenë Hoxhosmani.
Ata shkuan si emigrantë në Angli por u përfshinë në trafikun e drogës.
Klevis Hoxhosmanin, vëllanë e Arturit, vendasit e quanin “Ali Baba” sepse bashkëpunëtorët e tij dukeshin të ishin 40 hajdutë.
Lajmi në përditësim…
