Një operacion i gjerë i antimafias italiane ka çuar në ekzekutimin e 28 masave sigurie, ku mes të arrestuarve janë edhe gjashtë shtetas shqiptarë. Sipas prokurorisë italiane, personat dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të lidhur me klanin Locride të Ndrangheta-s, i specializuar në transportimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Hetimet kanë zbuluar se organizata ka transportuar rreth 3.5 ton kokainë, me një vlerë që llogaritet mbi 27 milionë euro. Ngarkesat e drogës, me origjinë nga Kolumbia dhe Brazili, mbërrinin në portet evropiane të fshehura brenda kontejnerëve të transportit të ligjshëm, duke përdorur metodën e njohur si “gancio cieco” (ose “grabitja”).

Zbërthimi i mesazheve të koduara
Operacioni u mundësua pas deshifrimit të komunikimeve në platforma të koduara si SkyECC, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol. Këto hetime çuan në identifikimin e kontakteve me ndërmjetës shqiptarë, furnizuesit nga Amerika e Jugut dhe të ashtuquajturin grup udhëheqës Barbaro di Platì.

Roli i një shtetasi kinez: dyshohet për pastrim parash

Mes të arrestuarve është edhe një shtetas kinez, i cili, sipas prokurorit të Milanos Marcello Viola, dyshohet se ka vepruar si “ndërrues parash”, duke përdorur sistemin informal të transferimit financiar “fei eh ‘ien”, për të mundësuar pagesat e blerjeve të drogës pa kaluar nëpër kanale bankare. Organizata kishte qendrën në Lombardi, por mbante lidhje edhe në Gjermani, Holandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Kolumbi dhe Brazil. Transportet kryesore të drogës kryheshin përmes porteve të Livornos, Roterdamit, Gioia Tauro dhe Le Havre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *