Seanca e parë e Kuvendit të Kosovës ka dështuar ditën e sotme. Seanca konstituive e Kuvendit është drejtuar nga deputeti më i vjetër Avni Dehari i Vetëvendosjes dhe deputetja më e re, Sala Jashari e PDK-së. Rendi i ditës nis me caktimin e nga një deputeti nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve. Por në këtë pikë, Kuvendi ka ngecur, pasi Opozita ka refuzuar që të miratojë raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandatave të deputetëve. Shkak për refuzimin e miratimit të raportit nga ana e Opozitës, ka ardhur pasi kryeministri Kurti dhe anëtarët e qeverisë nuk kishin dhënë akoma dorëheqjen nga postet e tyre. Vetë Kurti dhe Ministrat kanë dorëzuar dorëheqjen nga postet me vonesë, gjë që solli dhe ngërçin në Kuvend. Në këtë rast, kryesuesi i seancës Avni Dehari, hodhi në votim raportin, por as me votë nuk u miratua. Kryesuesi i seancës në fund të mbylljes së Kuvendit theksoi se do t’i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tej në këtë rast. Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.

Kryeministri i dorëhequr Albin Kurti ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ditën e sotme. Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka akuzuar partitë opozitare në vend për mos votimin e raportit për mandatet e deputetëve.

Deputet e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë”, shkruan Kurti.

Kurti ka thënë se ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike.

Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkruan Kurti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *