32 vjet pas vdekjes së Kurt Cobain, një hetim i ri mjeko-ligjor ka vënë në pikëpyetje përfundimet zyrtare të autopsisë, duke pretenduar se vokalisti i Nirvana-s nuk kreu vetëvrasje, por u vra.

Cobain u gjet i pajetë më 5 prill 1994 në shtëpinë e tij në Seattle dhe rasti u mbyll si vetëvrasje.

Sipas një artikulli të publikuar në International Journal of Forensic Science dhe të raportuar nga Daily Mail, specialisti Brian Burnett dhe një ekip i pavarur shkencëtarësh mjeko-ligjorë kanë rishqyrtuar provat e kohës dhe kanë arritur në një përfundim ndryshe nga ai zyrtar.

Sipas analizës së ekipit Burnett, Cobain dyshohet se është detyruar të marrë një mbidozë heroine dhe më pas është qëlluar me armë zjarri në kokë. Hetuesit pretendojnë se arma është vendosur më pas në duart e tij dhe se shënimi i vetëvrasjes mund të jetë i falsifikuar.

“Ka prova në autopsi që sugjerojnë se ky person nuk vdiq menjëherë nga një plagë me armë zjarri. Nekroza e trurit dhe e mëlçisë ndodh në mbidoza, jo në vdekje të menjëhershme nga armët e zjarrit”, ka deklaruar për Daily Mail studiuesja Michelle Wilkins, pjesë e ekipit hetimor.

Raporti i ri thekson se mëngët e Cobain ishin të mbështjella dhe kompleti i heroinës u gjet disa metra larg trupit, me shiringa të mbyllura me kapak dhe materiale të organizuara. Sipas Wilkins, kjo bie ndesh me skenarin e një vetëvrasjeje tipike.

“Na kërkohet të besojmë se ai i mbylli gjilpërat dhe i sistemoi të gjitha pasi u injektua tre herë. Vetëvrasjet zakonisht janë një katastrofë; kjo ishte një skenë shumë e pastër”, është shprehur ajo.

Gjatë hetimeve të vitit 1994, policia deklaroi se Cobain kishte injektuar një sasi heroine rreth dhjetë herë më të madhe se ajo që do të përdorte një përdorues. Autopsia raportoi gjithashtu prani lëngu në mushkëri, gjakderdhje në sy dhe dëmtime në tru dhe mëlçi. Sipas ekipit të ri, këto gjetje janë më tipike për një mbidozë sesa për një vdekje të menjëhershme nga arma e zjarrit.

Hetuesit e pavarur kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi letrën e shënimit të lamtumirës. Ata pretendojnë se pjesa e parë e tekstit i referohet largimit nga muzika dhe grupi, ndërsa katër rreshtat e fundit – që flasin drejtpërdrejt për vetëvrasje – duket se kanë një stil të ndryshëm shkrimi dhe janë “më të kujdesshme” në formë.

Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut King ka reaguar duke theksuar se në vitin 1994 u krye një autopsi e plotë dhe se përfundimi për vetëvrasje u arrit në bashkëpunim me forcat e rendit.

“Zyra jonë është gjithmonë e hapur për të rishikuar gjetjet nëse paraqiten prova të reja, por deri më tani nuk kemi gjetur asgjë që justifikon rihapjen e rastit”, thuhet në deklaratë.

Një qëndrim të ngjashëm mban edhe Departamenti i Policisë së Seattle-it, i cili thekson se hetimi i kohës arriti në përfundimin se Cobain kreu vetëvrasje dhe ky mbetet pozicioni zyrtar.

Megjithatë, Brian Burnett dhe ekipi i tij këmbëngulin në analizën e tyre: “Nëse gabohemi, na e vërtetoni.”

Rasti i Kurt Cobain mbetet një nga më të debatueshmit në historinë e muzikës moderne, ndërsa ky hetim i ri pritet të rindezë diskutimet mbi rrethanat e vdekjes së ikonës së muzikës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds