Pasi prokurori i SPAK Behar Dibra fyeu në sallën e gjykatës një mbrojtës që po parashtronte kërkesat për klientin e tij, ka reaguar ashpër Dhoma e Avokatëve.

“Nuk do dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti”, ishte shprehja gjatë gjykimit e prokurorit Behar Dibra që ka shqetësuar dhomën e avokatisë e cila e denoncon publikisht për denigrim personal të avokatëve gjatë ushtrimit të detyrës.

Në reagimin e dhomës së avokatisë shprehet shqetësimi për sjelljen e prokurorit Dibra gjatë seancës së datës 10 korrik dhe dënon me forcë gjuhën e papërshtatshme  duke e konsideruar cënim të rëndë të dinjitetit profesional dhe shkelje flagrante të parimeve të procesit të rregullt ligjor me barazi të palëve.

Mbi të gjitha thuhet më tej sjellja e prokurorit përbën shkelje të kodit të etikës së një prokurori.

Procesi ku ndodhi incidenti njihet si gjyqi i plumbit të artë. Rezulton se në këtë gjykim veç Gentian Rumanos është denigruar nga i njëjti prokuror edhe avokatja Elda Zotaj.

Tensionet në seancat e fundit që nuk po zhbllokohen lidhen me kërkesat e avokatëve për të marrë dëshmitë e Erjon Alibej, ndërkohë që prokuroria refuzon t’i vendosë në dispozicion.

Çështja mbetet në pritje për të dëgjuar të penduarin e tretë Skerdi Tase. Ndërkohë  Dhoma e Avokatisë thotë se do të monitorojë jo vetëm këtë proces por edhe të tjera ku prokurorët cënojnë standardet.

Nga ana tjetër për gjykime të ndryshme si dëgjuese e të dyja palëve edhe e prokurorisë edhe e avokatëve, gjykata ka gjobitur prej fillimit të vitit deri më tani 25 avokatë të cilët kanë munguar pa arsye. Shumat vajojnë nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds