Gjykata e Posaçme detyroi prokurorin Sotir Kllapi t’i raportonte lidhur me veprimet hetimore që ka kryer për ish-presidentin e Republikës, Ilir Meta i cili është marrë i pandehur për akuzat e korrupsonit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Përgjatë seancës që u iniciua nga avokati i Metës, që kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë për kreun e Partisë së Lirisë, në një materiale prej 31 faqesh. Prokurori renditi çdo veprim që ka kryer, si dhe faktin se po pret disa ekspertiza për pasuritë e ish-vjehrrës së Ilir Metës.
Pasi u njoh me aktet, avokati i Metës, Kujtim Cakrani kërkoi kohë të njihet me aktet dhe të paraqesë argumentat e tij, edhe pse kërkesën e ka bazuar kryesisht në faktin se SPAK nuk ka rapotuar çdo dy muaj në Gjykatë sikurse e detyron ligji.
Cakrani tha se Meta po mbahet në burg pa prova, ndërsa përjashtoi vendosjen e një garancie pasurore në këmbim të lirisë, duke pretenduar se ish-presidenti nuk disponon asnjë pasuri.
Avokati theksoi se ndaj Ilir Metës Prokuroria nuk ka prova dhe nuk ka asnjë arsye të mbahet në paraburgim.
Ilir Meta është marrë i pandehur për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë bashkë me ish-bashkëshorten e tij Monika kryemadhi.
Sipas avokatit, ish-presidenti i është rikthyer normalitetit në burg, pasi përfundoi një dënim me izolim, që sikurse theksoi iu caktua me urdhër politik.
Seanca e radhës do të zhvillohet me datë 26 qershor, kur gjyqtari i Posaçëm Erjon Çela do të vlerësojë bazuar në provat e paraqitura nga palët nëse ekzistojnë të njëjtat kushte dhe kritere mbi të cilat caktoi masën e arrestit me burg për ish-presidentin.