Seanca e fundit plenare për këtë legjislaturë ka nisur ditën e sotme në Kuvend me tensione në lidhje me zjarrin në landifillin e mbetjeve në Elbasan. Teksa deputetja Zheni Gjergji ka marrë fjalën në foltore për të folur për këtë zjarr, Spiropali i ka ndërprerë fjalën.
Zheni Gjergji: Zjarri në Elbasan është një alarm i fortë për gjendjen dramatike të mjedisit dhe pasojë ë dështimit të projektit të inceneratorit.
Spiropali: Mos abuzo me procedurën
Deputetja Jorida Tabaku ka deklaruar ditën e sotme se pengesa kryesore për integrimin e vendit në BE është qeveria. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Tabaku theksoi se kjo legjislaturë po mbyllet me numrin më të lartë të detyrave të papërmbushura. Ndërkohë që ka shtuar se duhet që të kemi një reformë të plotë gjithëpërfshirëse.
“37 nisma deputetësh për të diskutuar që kanë fjetur në sirtar për 12 vite, 26 institucione e mbyllin këtë legjislaturë si asnjëherë më parë, pa raportuar. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar, duke nisur nga ai për Teatrin Kombëtar e deri te mandati i një deputeti të mazhorancë. A është gati Shqipëria për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për institucione demokratike, për kontroll dhe balancë shteti, të zbatojë vendimet e gjykatës pa i diskutuar. Përgjigja është dhënë po në raportin e Komisionit Europian, në raportin e grup-kapitullit të parë, pengesa kryesore për integrimin e shqiptarëve nuk ka qenë dhe nuk do jetë opozita. Pengesa kryesore është qeveria. Po e mbyllim këtë legjislaturë me numrin më të lartë të detyrave të papërmbushura, pa një reformë të plotë gjithëpërfshirëse. Kuvendi i Shqipërisë është moszbatuesi më i madh nga të gjitha institucionet”, tha Tabaku.
Në seancën e sotme në rend dite është janë një sërë projektligjesh për të diskutuar. Në rendin e ditës së sotme është raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për vitin 2024. Projektligjet e tjera që janë parashikuar të miratohet janë ai për investimet e huaja, për rezervat materiale të shtetit, për markat tregtare, për patentat dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë, për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa, si dhe ai për pushtetet dhe autoritetet e komandimit të Forcave të Armatosura. Deputeti Bujar Leskaj ka deklaruar se seanca e sotme plenare se nuk duhej të mbyllej pa raportin e institucioneve të pavarura në Kuvend. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Leskaj theksoi se raportimi i institucioneve të pavarura në shtator nuk do të jetë efektiv.