Samiti i liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor ka nisur në Shkup. Sot udhëheqësit e vendeve do të diskutojnë zbatimin e planit të rritjes për rajonin. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti janë të pranishëm në tryzën e diskutimeve, ndërsa vihet re mungesa e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Përveç Ramës dhe Kurtit, në samit janë të pranishëm edhe Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës Borjana Krishto, Ministri për Integrimin Evropian i Serbisë Nemanja Staroviq. Dy panele do të mbahen si pjesë e takimit të liderëve, i pari prej të cilëve do t’i kushtohet Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, ku do të mbajnë fjalimet e tyre kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos. Kjo e fundit gjatë fjalës së saj, është shprehur se për herë të parë në historinë e Evropës, nëse punohet me vendosmëri në procesin e zgjerimit, Evropa mund të bashkohet, por sipas saj kjo nuk ndodh pa vendet e Ballkanit Perëndimor. Komisionerja europiane tha se aktualisht ka konsensus për një zgjerim të mëtejshëm të BE-së, ndërsa shtoi se në të kaluarën kjo ka munguar. Lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ajo tha se nëse Shqipëria ecën me këtë ritëm, mund të mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti. Paneli i dytë do t’i kushtohet mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Rritjes. Ky samit dy ditor, i cili u zhvillua edhe dje, ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit dhe të nxisë iniciativa të përbashkëta brenda kuadrit të tregut të përbashkët rajonal