Ka nisur numërimi i votave të Greqisë në Parkun Olimpik.

Procesi po ndiqet nga Agron Gjekmarkaj nga kampi blu dhe nga Taulant Balla si përfaqësues i socialistëve.

Azmir Dulevic është kandidat për qarkun Fier nga Nisma ‘Shqipëria Bëhet’. Ai gjithashtu po ndjek nga afër procesin.

I pari qark që u hap ishte ai i Lezhës, kjo pasi ka interes të shtuar. Bëhet fjalë për një mandat, nga 4 që ka PD dhe 3 që ka PS nga rezultati brenda vendit, mund të ndodhë që më votat e Greqisë të përmbyset rezultati dhe mandati t’i shkojë PS.

Janë rreth 50 mijë vota të mbërritura me zarfe nga fqinji jugor të cilat u hoqën mënjanë nga KQZ, pasi u kontestuan nga PD.

Nga ana tjetër, ka përfunduar numërimi i votave të ardhura nga shtetet e tjera. 246 mijë shqiptarë me banim jashtë vendit u regjistruan në sistemin online të KQZ për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por nga këta, 194 mijë emigrantë shprehën verdiktin e tyre duke kthyer në KQZ zarfin me votën.

Rreth 20 mijë zarfe nuk mbërritën asnjëherë në destinacion ndërsa pjesa tjetër e përfaqësuesve të diasporës nuk denjuan të kthenin zarfin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds