Ka nisur në Gjykatën e Tretë të Krimeve të Rënda në Romë gjyqi ndaj Mark Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, studentes shqiptare, e cila u vra në mars të këtij viti në apartamentin e Samson në Romë dhe trupi i saj u fut në valixhe dhe u hodh në një zonë pyjore në periferi të kryeqytetit italian.

Prokurorët e Romës, të koordinuar nga zëvendësprokurori Giuseppe Cascini, kanë ngritur akuzën e vrasjes me dashje me paramendim, motiv të kotë, marrëdhënie emocionale me viktimën dhe fshehje të kufomës. Në bazë të provave të mbledhura gjatë hetimeve, është kërkuar dhe miratuar gjykim i menjëhershëm.

Në sallën e gjyqit ishin i pandehuri, familjarët dhe miqtë e Ilaria Sula-s, të cilët mbanin një foto të saj dhe mesazhin “Drejtësi për Ilarinë”.

Sipas LaPresse, avokati i familjes së viktimës, Giuseppe Sforza, ka deklaruar se pozicioni i nënës së Mark Samson po finalizohet dhe se asaj i është ofruar një marrëveshje prej dy vitesh burg në këmbim të pranimit të fajësisë. Ajo akuzohet për bashkëpunim në fshehjen e trupit dhe për pastrimin e gjakut nga vendi ku dyshohet se i biri vrau ish-partneren.

“Familja e Ilarias po e përjeton këtë moment me shumë tension dhe trishtim,” u shpreh avokati Sforza. “Ata kërkojnë drejtësi, por janë të vetëdijshëm se asnjë vendim gjykate nuk mund të zbusë dhimbjen që do t’i shoqërojë gjithmonë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *