Nikaragua ka ndaluar hyrjen e Biblave, librave, gazetave dhe kamerave për vizitorët e huaj. Organizatat ndërkombëtare flasin për rritje të represionit dhe kufizim të lirisë fetare dhe të shprehjes. Vendi është ngjitur ndjeshëm në listën globale të persekutimit fetar.
Nikaragua ka ndaluar hyrjen e Biblave, librave, gazetave, revistave, si dhe kamerave dhe dronëve për vizitorët e huaj, në një tjetër shenjë të ashpërsimit të regjimit të Presidentit Daniel Ortega. Vendimi ka ngritur shqetësime serioze për lirinë fetare dhe atë të shprehjes në vend.
Ekzistenca e ndalimit është konfirmuar edhe nga kompani transporti që operojnë në rajon. Tica Bus El Salvador ka bërë të ditur se autoritetet nikaraguane nuk lejojnë futjen e Biblave apo materialeve të tjera të shtypura, si dhe pajisjeve fotografike. Njoftime për këtë masë janë vendosur në terminalet e autobusëve dhe thuhet se ndalimi ka qenë në fuqi prej të paktën gjashtë muajsh.
Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se kjo masë vjen në një klimë gjithnjë e më represive. Nikaragua është ngjitur me shpejtësi në listën globale të vendeve me persekutim fetar, duke u renditur aktualisht në vendin e 30-të, pas përfshirjes së saj për herë të parë në vitin 2023.
Represioni u përshkallëzua pas protestave të vitit 2018 kundër reformave sociale dhe qeverisë, të cilat u shtypën me dhunë, duke shkaktuar mbi 300 viktima dhe qindra arrestime. Që prej asaj kohe, autoritetet kanë mbyllur më shumë se 5 mijë organizata të shoqërisë civile, përfshirë mbi 1.300 institucione fetare.
Organizata Christian Solidarity Worldwide i ka bërë thirrje qeverisë së Nikaraguas të heqë menjëherë ndalimin dhe komunitetit ndërkombëtar të gjejë mënyra për të mbështetur zërat e pavarur brenda dhe jashtë vendit.
