Deputeti Saimir Korreshi pasi ngriti alarmin sa i përket gjendjes në spitalin bashkiak të Lushnjës dhe sigurinë e bombolave të oksigjenit në spital ka kërkuar sot nga ambientet e spitalit prezencën e Drejtorit të tij për t’u ballafaquar me situatën që ai e quan evropiane në këtë spital.
Në shumë reparte situata është skandaloze ndërsa tmerruese është në repartin e oksigjenit.
Spitali “Ihsan Çabej” pas deklaratës së Korreshit reagoi, ku tha se dokumentacioni i cituar nga deputeti, i referohet periudhës para 31 dhjetorit 2024, dhe nuk ka pasur ndonjë incident të regjistruar që të rrezikojë pacientët ose punonjësit.
Deklarata:
“Reparti i oksigjenit nuk ka një pozicion formal përgjegjësie në organikë; për nevoja organizative, është ngarkuar një punonjës teknik me arsim përkatës, sipas praktikave të institucionit.
Fikëset e zjarrit janë të instaluara dhe funksionale, ndërsa bombolat e oksigjenit furnizohen nga operatori kontraktues, i cili mban përgjegjësi për gjendjen teknike të tyre. Ministria thekson se deri më sot nuk ka pasur avari teknike apo shpërthime.
Gjithashtu, zhvendosja e pavijoneve si pjesë e rikonstruksionit është kryer sipas një plani të miratuar, duke respektuar standardet teknike dhe me dijeni të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Drejtoria e spitalit thekson se mbetet e angazhuar për sigurinë e pacientëve dhe punonjësve, dhe është e hapur për çdo verifikim nga autoritetet kompetente”, thuhet në deklaratën për mediat të Shëndetësisë.
