Sot në rrugët e Lushnjës nuk kishte lëvizje të fëmijëve, të rinjve, apo edhe moshave më të mëdha me monopatina të cilat janë bërë shqetësuese për qytetarët. Duke mos pasur rrugë, korsi ku ato të lëvizin, përdoruesit e monopatinave ecin me to në trotuaret e qytetit që janë për këmbësorët ose në rrugët ku qarkullojnë automjetet duke u kthyer në rrezik të vazhdueshëm për aksidente.
Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu në bashkëpunim edhe me Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda vendosi që prej ditës së sotme në të gjitha rrugët e Shqipërisë do të ndalohet përkohësisht përdorimi i monopatinave, apo atyre që njihen si skuterët elektrikë.
Arsyet e ndalimit të monopatinave përkohësisht janë rastet e shtuara të aksidenteve nga to, vetëm vitin e kaluar, janë regjistruar 991 raste aksidentesh të shkaktuara nga monopatinat.
Policia e Shtetit ka nisur aksionin për bllokimin e çdo monopatinë që do të jetë në qarkullim.