Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, ka shpjeguar sot skemën e re mbështetëse për bujqit dhe blegtorët. Gjatë një konference për mediat, Salla ka deklaruar se është hequr nafta falas për fermerët, por në këtë skemë ata do të kenë mundësi që të marrin mbështetje në të gjitha masat.

”Së pari, kemi miratuar dje me vendimin e Këshillit të Ministrave skemën kombëtare mbështetëse për fermerët për vitin 2026, e cila është një skemë ku ne kemi konsoliduar së bashku me fermerët në të gjithë territorin. Kemi pasur dëgjesa me ta në të gjithë takimet që kemi kryer, në 23 takime dhe në 12 qarqet e Shqipërisë. Është një skemë që do ta prezantojmë sot dhe kush janë pikat të cilat ne kemi vendosur së bashku me stafin për atë çfarë kemi dëgjuar realisht nga fermerët, duke e përshtatur atë në buxhetin i cili është akorduar nga qeveria shqiptare, një buxhet prej 5.2 miliardë lekë. Do të mbështesim të gjitha aplikimet apo projektet të cilat janë investimet në sera, pemë frutore, vreshta, stalla, mekanikë bujqësore, linja e përpunimit të produkteve, akuakulturë detare dhe agroturizëm. Skema e naftës është skemë për ulje kosto prodhimi dhe është mbështetur me buxhet të drejtpërdrejtë për fermerin, me skemën e re është gjithëpërfshirëse ku mbulohen të gjithë fermerët në uljen e kostos së prodhimit”, tha ai.

Ndërkohë ministri Salla tha se deri në datën 9 prill, Shqipëria do të paraqesë kërkesat në BE për të kërkuar hapjen e fondeve të IPARD.

“Kemi diskutuar në Bruksel për gjithë detyrat që kemi, brenda datës 9 prill do të depozitojmë kërkesat që na janë caktuar, presim më pas akreditimin e paketës së IPARD”, deklaroi ai.

I pyetur në lidhje me dëmshpërblimet për zjarret, përmbytjet apo për murtajën që ra mbi gjedhët, ai tha se për këtë të fundit brenda pak ditësh do të kalojnë paratë në llogaritë e familjeve që kanë pasur humbje.

Përmbytjet ne i kemi dakordësuar me ministrinë e mbrojtjes. Me mbështetje nga qeveria jemi gati për aktin e radhës për të mbështetur fermerët, dhe që kanë kaluar situatën e zjarreve, i kanë kaluar bashkive nga qeveria. Të gjitha bashkitë kanë marrë në dhjetor mbështetjen nga qeveria dhe janë kaluar në ato familje që janë prekur. I kemi gati për të kaluar paratë për ata që fermerë që gjedhët e tyre janë prekur nga murtaja”, përfundoi Salla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds