Në një kohë kur interneti ka zhvendosur kufijtë fizikë të tregtisë, gjithnjë e më shumë shqiptarë po ndërtojnë karriera dhe të ardhura nëpërmjet bizneseve virtuale. Me investim minimal, por me njohuri dixhitale dhe kreativitet, ata po fitojnë nga dropshipping, kurset online, marketingu dixhital dhe më shumë.

Në një apartament të thjeshtë, në katin e katërt të një ndërtese pa ashensor në Tiranë, një sipërmarrëse 26-vjeçare shqiptare zgjohet herët. Përpara se të hapë dritaren që shikon nga një rrugicë e zhurmshme me lokale të vogla, ajo ndez laptopin dhe hyn në panelin e kontrollit të Shopify-t, platforma që i mundëson të drejtojë biznesin e saj virtual nga një qoshe e dhomës së ndenjjes.

Ajo kontrollon me vëmendje porositë që kanë ardhur gjatë natës: 7 klientë nga Gjermania dhe Austria kanë blerë produkte për arredim shtëpie, qirinj aromatikë, pasqyra me forma të çuditshme, jastëkë me ngjyra neutrale dhe mbajtëse metalike për libra, të gjitha me stil minimalist.

Produktet që shet nuk i ka parë kurrë nga afër; ato ndodhen në një depo në Stamboll dhe transportohen direkt te blerësit nga një kompani logjistike partnere. Fitimi i saj vjen nga përqindja mes çmimit të furnizimit dhe atij final që paguan konsumatori. E gjitha pa prekur fizikisht asnjë artikull dhe pa u larguar nga banesa.

Të ardhurat e muajit të shkuar i kanë kaluar 800 euro, një shumë që në rrethana tradicionale në Shqipëri do të kërkonte një muaj pune të lodhshme në sektorin e shitjeve apo call-center. Por ajo nuk është më pjesë e atij realiteti.

Në vend të kësaj, ajo është pjesë e një brezi të ri shqiptarësh që po përqafojnë format më fleksibël dhe inovative të sipërmarrjes: nga dropshipping-u, te shërbimet freelance, shitjet në Etsy apo menaxhimi i përmbajtjes në rrjetet sociale për klientë të ndryshëm, vendas apo ndërkombëtarë.

Në fakt, kjo nuk është një histori e veçantë më në vitin 2025. Është një shembull i transformimit të heshtur që po ndodh në një vend të vogël ballkanik, ku për dekada të tëra papunësia, emigracioni dhe ekonomia informale kanë qenë mjetet e vetme të mbijetesës.

Sot, Shqipëria po sheh një riorientim të heshtur drejt ekonomisë dixhitale, të nxitur nga qasja e lirë në internet, nga një popullsi e re dhe e aftë teknologjikisht, si dhe nga përdorimi intensiv i gjuhëve të huaja, veçanërisht anglishtes, që u hap dyert platformave globale si Shopify, Amazon, Fiverr apo TikTok Shop.

Për shumë të rinj, suksesi nuk matet më me një kontratë pune në administratën publike apo një pozicion në një kompani lokale. Tani matet me numrin e porosive ndërkombëtare, me kostot e ulëta të reklamimit në Facebook Ads dhe me rritjen e ndjekësve në Instagram apo TikTok.

Kjo hapje e re ndaj sipërmarrjes virtuale, që dikur dukej si eksperiment, po kthehet në një alternativë serioze ndaj tregut tradicional të punës, një rrugë që nuk kërkon miq në politikë, por njohuri të mjaftueshme për të ndërtuar një faqe, për të analizuar të dhënat dhe për të tërhequr konsumatorë nëpërmjet ekranit.

Një nga modelet inovative të bizneseve virtuale që po fiton terren në Shqipëri është “Doll’App”, një platformë e krijuar nga sipërmarrësja Aneida Bajraktari.

E konceptuar si një treg virtual për veshjet e përdorura, “Doll’App” i jep mundësinë çdokujt të shesë veshje të cilat nuk i përdor më, pa pasur nevojë për një dyqan fizik apo investime të mëdha fillestare.

Me një ndërfaqe të thjeshtë për përdorim dhe fokus te praktika e qëndrueshme e konsumit, ky aplikacion tregon se si teknologjia po ndryshon mënyrën si bëjmë tregti dhe si konceptojmë pronësinë.

“‘Doll’App’ operon mbi një model që ndërthur sipërmarrjen sociale me zgjidhjet dixhitale, duke u dhënë përdoruesve mundësi të fitojnë të ardhura nga gardëroba e tyre ekzistuese. Kjo qasje jo vetëm që nxit rishfrytëzimin e produkteve dhe ul konsumin e tepërt, por edhe krijon një komunitet të ri shitësish dhe blerësish virtualë.

Në thelb, është një ilustrim se si bizneset virtuale mund të krijohen me investim minimal, por me ndikim të madh ekonomik dhe social, sidomos në tregje në zhvillim si ai shqiptar”, – thotë znj. Bajraktari.

Problematikat në Shqipëri, sipas saj, përfshijnë kornizat ligjore. Sepse ligjet ende nuk u janë përshtatur modeleve të reja e inovative të biznesit, si në rastin konkret, bizneseve virtuale.

“Kjo përfshin disa sektorë, p.sh. kurset online në disiplina të ndryshme, por që të licencohesh për këto kurse, duhet të kesh një vend fizik që të përmbushë kushtet për një sektor të tillë. Pra ka vend për interpretim nëse ke kontrolle nga Tatimet apo struktura të tjera”, – përfundon znj. Bajraktari.

Sfidat

Besimi i konsumatorëve, konkurrenca globale, problemet me logjistikën

Nga dropshipping te trajnimi online

Ndërsa dropshipping mbetet porta hyrëse drejt sipërmarrjes online, forma të tjera biznesi janë duke u zhvilluar me shpejtësi. Shqiptarët ofrojnë shërbime kreative si dizajn grafik, përkthime apo menaxhim rrjetesh sociale për klientë ndërkombëtarë nëpërmjet platformave si Fiverr dhe Upwork.

Një prirje gjithnjë e më e dukshme është edhe ajo e edukatorëve dixhitalë: individë që shesin kurse apo trajnime online: në fushat e fitnesit, marketingut dixhital, mësimit të gjuhëve apo zhvillimit personal.

Kombinimi i ndikimit në rrjetet sociale (kryesisht TikTok dhe Instagram) me produkte edukative u ka dhënë shumë të rinjve një burim pasiv të të ardhurave.

Një tjetër formë në rritje e sipërmarrjes virtuale është shitja e kurseve online, një model që po përhapet gjithnjë e më shumë edhe në Shqipëri.

Nga dizajni grafik, programimi, menaxhimi i rrjeteve sociale, marketingu dixhital, madje edhe temat më të buta si motivimi personal apo edukimi financiar – individë të ndryshëm po krijojnë përmbajtje edukative dhe e shesin atë nëpërmjet platformave si Teachable, Udemy, Gumroad, apo edhe faqeve personale dhe rrjeteve sociale. Ky model nuk kërkon magazina, logjistikë apo staf të madh, por njohuri specifike, besueshmëri dhe aftësi për të komunikuar qartë me audiencën.

Shumë nga krijuesit e kurseve online janë të vetëpunësuar që kanë ndërtuar një komunitet në Instagram, TikTok apo LinkedIn, e më pas e kanë monetizuar audiencën nëpërmjet përmbajtjes me pagesë.

Një shembull tipik është dikush që ka përvojë disavjeçare në fushën e dizajnit grafik, i cili ofron një kurs për fillestarë, duke e shitur përmes linkut në bio. Fitimet mund të jenë të konsiderueshme, veçanërisht kur kursi shitet në mënyrë të përsëritur pa kosto shtesë prodhimi.

Ky model njihet si “produkti dixhital i shkallëzueshëm”: e ndërtuar një herë, përmbajtja mund të shitet pafund, në çdo orë të ditës, në çdo vend të botës.

Renato Civili është një prej trajnerëve shqiptarë që ofron kurse në fushën e marketingut dixhital, duke përdorur si rrjetet sociale, ku ndan përmbajtje të shkurtër dhe këshilla praktike, ashtu edhe platforma të posaçme si Udemy, ku ofron kurse më të strukturuara dhe të thelluara.

Diversifikimi i kanaleve i mundëson atij të arrijë audienca të ndryshme: nga ata që parapëlqejnë mësimin fleksibël dhe informal në rrjetet sociale, tek ata që kërkojnë trajnim më të organizuar dhe me përmbajtje të plotë në platforma si Udemy.

Kjo qasje reflekton edhe nevojën e tregut shqiptar për mjete të ndryshme të edukimit dixhital, në varësi të nivelit dhe kërkesave të përdoruesve.

Megjithatë, edhe këtu ka sfida: mungesa e standardeve të cilësisë, mungesa e certifikimeve të vlefshme dhe dyshimi i konsumatorit ndaj përmbajtjes që nuk është e akredituar. Shpeshherë, shumë kurse krijohen thjesht për përfitim dhe jo për vlerë reale.

Një kontabiliste që punon me trajnues të tillë online tregon se të ardhurat nga kurset janë të vështira për t’u monitoruar, sepse shumica e pagesave ndodhin me PayPal dhe nuk deklarohen, për shkak të mungesës së njohurive fiskale ose vullnetit për t’u formalizuar. “Ka individë që nxjerrin mijëra euro në muaj nga kurset, por nuk kanë status tatimor në Shqipëri”, – thotë ajo.

Shteti shqiptar ende nuk ka një mekanizëm të posaçëm për të orientuar dhe për të mbështetur këtë kategori të re të vetëpunësuarve dixhitalë. Shumë nga këta trajnues janë të rinj që operojnë në mënyrë tërësisht informale, edhe pse janë pjesë e një ekonomie që po rritet me ritme të shpejta.

Në kuadër të zhvillimit të bizneseve virtuale në Shqipëri, një shembull tjetër është “Stampisti” i krijuar nga Elena Velaj, një nënë e re që vendosi t’i japë një drejtim tjetër karrierës së saj nëpërmjet modelit “print on demand”.

Ideja lindi si një përpjekje për të krijuar diçka unike në treg, pas vështirësive për t’u rikthyer në punë pas lindjes së fëmijës. Duke marrë përsipër vetë procesin e stampimit, Elena sfidoi vetveten, duke ndërtuar një markë që fokusohet te personalizimi dhe cilësia, në një kohë kur produktet unike dhe të personalizuara po kërkohen gjithnjë e më shumë.

Ndonëse teknologjia e nevojshme për një biznes të tillë mund të tingëllojë si një investim i rëndë, Velaj e nisi me pajisje bazë: dy presa të madhësive të ndryshme, një cutter për flex dhe një printer DTF. Ajo thekson se suksesi nuk varet domosdoshmërisht nga teknologjia më e fundit, por nga pasioni dhe përkushtimi ndaj punës.

Kjo qasje e bën modelin e “print on demand” jo vetëm të përballueshëm, por edhe të shkallëzueshëm për të rinjtë që duan të ndërtojnë një biznes kreativ dhe dixhital me mjete të kufizuara. “Stampisti” operon si një model biznesi i qëndrueshëm, me potencial të madh për t’u rritur përtej kufijve shqiptarë.

Elena beson se kërkesa për produkte të personalizuara ekziston në çdo treg dhe se Shqipëria mund të jetë një bazë solide për të zhvilluar këtë lloj sipërmarrjeje, sidomos në formatin B2C.

Prania në rrjetet sociale ka qenë kyçe për zgjerimin e klientelës, pasi platformat si Instagram shërbejnë si vitrinë virtuale për produktet, por edhe si kanal komunikimi direkt me klientin. Rritja, sipas saj, vjen në mënyrë graduale, por është e qëndrueshme dhe eksponenciale kur mbështetet nga autenticiteti.

Mundësitë

Rritja e kërkesës për produkte/shërbime online, mungesa e kufizimeve gjeografike.

Suksesi nuk është i garantuar

Përfshirja në sipërmarrje virtuale mund të duket si një rrugë e thjeshtë drejt pavarësisë financiare, por nuk është pa sfida dhe rreziqe të konsiderueshme.

Një nga modelet më të përhapura, dropshipping, për shembull, mbështetet në mënyrë të ndjeshme te reklamat në Facebook, një kanal që është bërë gjithnjë e më i kushtueshëm dhe jo i qëndrueshëm në kohë.

Sipërmarrësit që nisin pa një plan të mirëfilltë të marketingut shpesh përballen me kthime të ulëta të investimit dhe humbje të menjëhershme. Shumë prej këtyre operatorëve të rinj nuk kanë përvojë në shërbimin ndaj klientit, gjë që sjell vlerësime negative dhe ulje të besueshmërisë së markës, si dhe shpesh përballen me dështime në zinxhirin e furnizimit e logjistikës.

Një tjetër aspekt problematik është mungesa e rregullimit të mirë ligjor dhe tatimor për këtë formë të re biznesi. Ndërsa fitimet nga platformat dixhitale dhe shitjet online janë në rritje, sistemi tatimor shqiptar nuk është ende i përshtatur për të monitoruar dhe për të mbledhur taksat në mënyrë efikase.

Sipas një kontabilisteje që menaxhon financat e disa influencuesve dhe shitësve online, “të ardhurat ekzistojnë, por shpesh nuk deklarohen”.

Kjo ndodh për shkak të mungesës së njohurive mbi detyrimet ligjore, por edhe sepse shumë prej këtyre bizneseve janë të regjistruara në platformat ndërkombëtare, jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të administratës tatimore shqiptare. Si pasojë, krijohet një mjedis ku aktivitetet informale lulëzojnë, ndërsa konkurrenca bëhet e pabarabartë ndaj sipërmarrjeve që operojnë brenda kornizës ligjore.

Sipas të dhënave të ekspertëve kontabël, problematika nuk qëndron vetëm tek evazioni, por edhe te mungesa e edukimit financiar dhe strukturës së formalizuar.

“Shumë të rinj hapin një faqe Instagram-i dhe fillojnë të shesin produkte të personalizuara apo të importuara, pa ditur se kur lind nevoja për regjistrim si subjekt tatimor, apo si të lëshojnë një faturë elektronike”, shprehet kontabilistja Etleva Treska.

Sipas saj, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të këtyre sipërmarrjeve virtuale është thelbësore që të krijohen mekanizma të qartë orientues dhe mbështetës nga shteti, përfshirë udhëzime të thjeshta mbi fiskalizimin, programe edukimi dhe platforma të posaçme për regjistrimin dhe monitorimin e shitjeve dixhitale.

“Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndërtohet një ekonomi virtuale që kontribuon realisht në rritjen e të ardhurave publike dhe zhvillimin e sipërmarrjes së re shqiptare” – përfundon ajo./ Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds