Tarifat e reja të presidentit të SHBA-së Donald Trump hynë në fuqi pas mesnatës për 90 vende të botës, duke bërë kështu realitet paralajmërimet e tij.
Pak përpara përfundimit të afatit për marrëveshje, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social, se “miliarda dollarë në tarifa po rrjedhin tani në Shtetet eBashkuara të Amerikës!”
Më herët, kreu i Shtëpisë së Bardhë fshikulloi Indinë me tarifa prej 50%, që do të hyjnë në fuqi më 27 gusht, cka mund të shmanget vetëm nëse ajo pranon të ndalojë blerjen e naftës ruse.
Mallrat nga më shumë se 60 vende dhe nga Bashkimi Europian do të përballen sakaq me tarifa prej 10 për qind ose më të larta.
Tarifat do të zbatohen edhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas këtyre përqindjeve: Serbia 35 për qind, Bosnja e Hercegovina 30 për qind, Maqedonia e Veriut 15 për qind, Kosova 10 për qind dhe Mali i Zi 10 për qind.
Pjesë e listës është edhe Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian, produktet e së cilës do të tatohen me 15 për qind gjatë importit në Shtetet e Bashkuara.
Produktet nga Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do të tatohen me 15 për qind, ndërsa importet nga Tajvani, Vietnami dhe Bangladeshi do të tatohen me 20 për qind.
Pavarësisht pasigurisë, Shtëpia e Bardhë duket e bindur se fillimi i këtyre tarifave gjithëpërfshirëse do të sjellë qartësi për rrugën që do ndjekë ekonomia më e madhe në botë. Megjithatë, kompani dhe grupe të industrisë paralajmërojnë se tarifat e reja do të dëmtojnë rëndë bizneset e vogla amerikane, ndërsa ekspertët thonë se ato mund të nxisin inflacionin dhe të rëndojnë rritjen ekonomike në periudhën afatgjatë.