GJKKO vendos kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të deputetit demokrat Asllan Dogjani. Ai akuzohet nga SPAK për “refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë” lidhur me një apartament rreth 100 metër katrorë, për të cilin ai thotë se e ka e fituar si rezultat i këshillimit juridik.
Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, ai deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.
Sipas SPAK, në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvend. Më tej mësohet se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.
Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarët, SPAK konstatoi se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Sipas Prokurorisë, kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.