Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Kjo është paraqitja e disatë e kryedemokratit në SPAK në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Berisha ka folur për mediat pas ndaljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme teksa u shpreh se SPAK ka kriminelë të rrezikshëm. Sipas tij janë lëshuar 250 urdhër arreste ndërkombëtare dhe kombëtare të cilat nuk janë ekzekutuar. Berisha thekson se janë informuar krerët e karteleve pasi në vendin tonë sipas tij është një shkallë e lartë e bashkëpunimit të drejtësisë me kriminin. Gjithashtu ai komentoi sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj prokurorea Elsa Gjeli. Sipas Berishës, prokurorja ka zbatuar atë që kërkonte raporti i policisë. Sipas tij Rama duke sulmuar prokurorë e gjyqtarë të cilëve u kërkon të mbajnë standarde, njëherë ta zbatojnë dhe njëherë të mos e zbatojnë vendimet. Ai thekson se në një situatë ku po sulmohen gjyqtarë dhe prokurorë, institucionet kryesore të drejtësisë heshtin. Berisha thekson se institucionet reagojnë vetëm kur ai denoncon lidhjet e krimit dhe dalin në mbrojtes të Irena Gjokës dhe kreut të SPAK, Altin Dumani. Ai thekson se Gjoka akuzohet për tre vepra penale. Berisha shton se KLGJ në vend se të marrë vendimin menjëherë për ta dënuar, nuk merr asnjë vendim. Sipas tij Gjoka nuk është gjykatëse dhe se asnjë vendim i saj nuk ka vlerë. Kryedemokrati shtoi se e gjithë kjo mbrojtje ndaj Gjokës vjen pasi ata janë bashkëpunëtorë në krim.
