Në prag të meshës që pritet të mbahet sonte në Katedralen e “Shën Palit” në kryeqytet, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Arjan Dodaj, ka ndarë një mesazh për të gjithë besimtarët.
Imzot Arjan Dodaj u bëri thirrje besimtarëve të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të besojnë se ndryshimi nis nga secili individ.
“Vdekja nuk e ka më fjalën e fundit… ndryshimi është i mundur dhe fillon nga zemra e njeriut”, tha Dodaj.
Në fjalën e tij, Dodaj ndaloi edhe tek fenomenet që prekin shoqërinë shqiptare, si emigracioni dhe indiferenca, duke theksuar se e ardhmja nuk duhet pritur nga jashtë.
Vendi ynë nuk duhet të presë që e drejta apo e ardhmja do të na vijë nga jashtë. Thua vallë se të huajt e kanë për detyrë ta duan më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët se vetë shqiptarët Shqipërinë dhe njëri-tjetrin.
Jo, kjo para së gjithash është një përgjegjësi e secilit prej nesh. Të qenit shqiptar nuk është çështje slogani apo propagande, por trashëgimia që na shpërcjell ndër shekuj dhe borxhi që u detyrohemi bijëve tanë, brezave të rinj”, tha Dodaj.
Apeli i tij shkoi edhe për politikën dhe institucionet, për më shumë ndershmëri dhe përgjegjësi në drejtimin e vendit.
“Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj jo me fjalë, por me jetë të jetuara këtu, ka nevojë për ndërgjegje reaguese që nuk pranojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe menjanimin si diçka normale.
Është ky një urim për të gjithë dhe akoma më shumë është për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore që të shohin me largpamësi dhe përgjegjësi të ardhmen e vendit”, theksoi ai.
