Policia italiane ka vënë në pranga Roberto Mazzarellan, bosin e Kamorrës i cili ishte një nga personat më të kërkuar në Itali.
Mazzarella, kreu i klanit me të njëjtin emër që vepron në Napoli dhe rrethinat e tij, u kap nga policia pas më shumë se një viti në arrati.
Ai fshihej në një resort luksoz në bregdetin Amalfitan, ku kishte rezervuar me identitet të rremë për të kaluar festat e Pashkëve me familjen.
48-vjeçari nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit, ndërsa në ambientet ku qëndronte, autoritetet sekuestruan ora luksoze, rreth 20 mijë euro cash, dokumente false, telefona dhe materiale që dyshohet se lidhen me aktivitetin financiar të klanit.
I shpallur në kërkim që prej 28 janarit 2025, Mazzarella akuzohet për vrasje në rrethana mafioze, përfshirë një krim të ndodhur në vitin 2000, në kuadër të një hakmarrjeje mes klaneve.
Mazzarella ishte renditur i katërti në listën e të arratisurve më të rrezikshëm të përcaktuar nga Ministria e Brendshme.
