325 kërkesa për urdhër mbrojtje , janë regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, në periudhën janar- shtator 2024, duke dëshmuar se dhuna në familje mbetet ende një fenomen tepër shqetësues që nuk po njeh trend ulje. Sipas kryetarit të Dhomës së Avokatisë Fier, Ermal Hamataj, problematike mbetet grupmosha 45- 50 vjec, ndërkohë që dhuna ka prekur kryesisht bashkëshortët, me 130 raste të regjistruara, teksa ka theksuar se mentaliteti vijon të mos ndryshojë pavarësisht trumbetimit të emancipimit të shoqërisë. Fatkeqësisht janë meshkujt ata që nuk e kanë kuptuar akoma që bashkëshortja nuk është plackë lufte ka thënë Hamataj.
Ndërkohë Hamataj ka pohuar gjithashtu se numri më i lartë i rasteve të dhunës dhe i kërkesave për udhëra mbrojtjeje regjistrohet në 3- mujorin e fundit të vitit, periudhë që përkon me ardhjen e emigrantëve.
Hamataj nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se subiekte dhe autorë të dhunës jo në pak raste janë edhe fëmijët . Marrë shkas edhe nga ngjarjet e fundit , është alarmant fakti që mes të miturve ka një tendencë konfliktesh që gjenerojnë deri në përdorimin e armëve të ftohta, ndaj apeli vjen para së gjithash përvec shkollash dhe organeve të tjera ligjzbatuese , për prindërit. Sa më shumë familjet ti thonë jo dhunës, do të rritet edhe një brez më i shëndetshëm, ka theksuar avokati Hamataj.
Ndërkohë rastet e dhunës në familje për vitin 2024 në qarkun Fier, mbeten në të njëjtat shifra me vitin e kaluar