Zbardhet përgjimi i punonjëses së Komisionit të Prokurimeve Publike, Lindita Skeja e cila implikon drejtuesin e këtij institucioni, Jonaid Myzyri për aferën e tenderit 2.3 mln euro, të mirëmbajtjes së rrugës 58.7 km, “Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Ura e Repsit”. Hetimi nisi pas dyshimeve se Myzyri kishte diktuar veprimet e anëtarëve të tjerë të KPP në rastet e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurave të prokurimit.

Disa muaj pasi u pyet si person nën hetim, SPAK mori në 24 qershor zyrtarisht të pandehur Jonaid Myzyrin, duke i komunikuar akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderin për mirëmbajtjen e rrugës së lartpërmendur.

Siç edhe rezulton nga dosja hetimore, një rol të rëndësishëm në artikulimin e akuzave nga ana e Prokurorisë së Posaçme ndaj Myzyrit ka patur edhe biseda telefonike e përgjuar e punonjëses së KPK, Lindita Skeja e cila implikon titullarin në procedurat abuzive të tenderit. Sipas SPAK, një pjesë e këtyre komunikimeve lidhen me akuzën për të cilën dyshohet personi nën hetim, Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike i pezulluar nga detyra dhe me masë detyrim paraqitje nga GJKKO.

Gazetarja Klodiana Lala ka mësuar detaje nga dosja hetimore, ku në një bisedë të përgjuar, punonjësja Skeja i ankohet bashkëbiseduesit në telefon se kishte firmosur siç i ishte kërkuar nga Myzyri, ndërsa tani asaj i duhej të paraqitej për t’u marrë në pyetje. Në një moment të bisedës ajo thotë gjithashtu se “punonjësit firmosin letrat, ndërsa lekët i marrin të tjerët”. “Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu…firmos ne, të gjith si delet. Ime veme ku të n’a thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata”, shprehet gjatë bisedës telefonike punonjësja e KPK, Lindita Skeja.

Përgjimi i SPAK

Speaker A (Lindita): Ai na majti kshu… që krijum besim që ne jemi miqtë e atij…ene rrimë të qetë. N’a ofroi mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni.

Speaker B: Hej zot!

Speaker A (Lindita): Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu…firmos ne, të gjith si delet. Ime veme ku të n’a thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata.

Speaker B: A mos i hongert o Zot.

Speaker A (Lindita): Bojna se e dini ju se ç’ju boj unë, bojna… Më pas

Speaker A (Lindita): Amin…ata hop mrap ere… hop mrapa… hop mrapa me e çoi mu në KPP… më çoi mu në KPP, përballem atje me lloj lloj pislliku…

Speaker B: Pi hiç ere un sve po ene tha Dashi motrës tha mos shko…

***

Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thekson se “nga rezultati i përgjimeve ngrihen dyshime të arsyeshme që në vendimmarrjen e KPP për shqyrtimin e ankesës me objekt: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal-Q.Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa TVSH si dhe në vendimmarrje të tjera, ekzistojnë elementë të veprimeve të kundraligjshme që mund të kenë ndikuar në këto vendime”.

Në kërkesën drejtuar GJKKO-së për masën ndaj Myzyrit, prokurori i SPAK, Elvin Gogaj ka argumentuar se “masa e sigurimit duhet të caktohet pasi ekziston rreziku i cenimit të provave, ai i ikjes, si dhe ai i kryerjes së veprave të jera penale nga personi nën hetim Jonaid Myzyri”. “Ka dyshime të arsyeshme që ai mund të vërë në rrezik marrjen e provës apo vërtetësinë e saj, duke ndërhyrë tek personat që kanë dijeni për kryerjen e veprës penale dhe që nukj janë pyetur deri në këto momente, megjithëse veprimet po kryhen në dinamikë nga ana e Prokurorisë së Posaçme”.

Gjithashtu, SPAK është duke hetuar procedurat e tenderëve përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në raste të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.

Jonaid Myzyri u emërua në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) në vitin 2020, për një mandat 5-vjeçar, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Parlament.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds